Policia e Kosovës konfirmoi të enjten njoftimet se kameramani i gazetës në internet Insajderi është sulmuar në veriun e Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe, ndërsa po filmonte një sulm ndaj një të riu shqiptar.
Kameramani Jetmir Muji, i cili u detyrua të kërkojë ndihmë mjekësore për shkak të pasojave të sulmit, ishte në veriun e Mitrovicës në kohën kur nëntë të rinj shqiptarë, nxënës të shkollës së mesme, “u ndaluan nga disa persona të dyshuar të cilët rrahën njërin pre tyre”.
Policia tha se është duke kryer hetime ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të përmbahen nga çfarëdo lloj incidenti “në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike”.
Sulmi u dënua nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që u shpreh i tronditur dhe bëri thirrje për hetim emergjent dhe vënien para drejtësisë të sulmuesve.
Sulmi u dënua edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve.
Situata e sigurisë në veriun e Kosovës vlerësohet e brishtë për shkak të zhvillimeve politike të ditëve të fundit. Atje nuk ka më pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serbë e as gjykatës e prokurorë, të cilët u tërhoqën nga institucionet e vendit për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Të enjten në Prishtinë drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare AKTIV, që vepron në veri të Mitrovicës, Miodrag Miliqeviç, tha se në fillim të javës “është keqtrajtuar fizikisht dhe verbalisht” nga pjesëtarë të Njësisë së Posaçme të Policisë së Kosovës në veri.
Ndonëse policia mohoi të ketë ndodhur një gjë e tillë, Inspektorati i Policisë ka nisur hetime rreth pretendimeve të ngritura nga zoti Miliçeviç, një veprim i cili është përgëzuar nga zyrtarët evropianë. /VOA