Oltjon Sallaku qëlloi me armë zjarri gruan e tij, Lamia Elamri, 18-vjeç dhe më pas vrau veten. Elamri aktualisht ndodhet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Sipas asaj që mësohet, tragjedia ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Martin Luther King” në Cassano delle Murge dhe mësohet se ka ardhur pas një konflikti mes tyre.
18-vjeçarja marokene u qëllua me armë zjarri në gjoks dhe pas kryerjes së këtij krimi të rëndë, Sallaku qëlloi më pas veten në kokë.
Në momentin e të shtënave, vajza e vogël, gati 2 vjeçe, ndodhej me gjyshen nga nëna. Oltjoni punonte si shtrues pllakash në Bari dhe cilësohet nga të gjithë si një djalë i mirë. Një mik i tij tregon se e ka takuar pak para krimit të rëndë dhe dukej i qetë, madje kanë bërë dhe shaka.
Çfarë ndodhi kur ai hyri në shtëpi? Dhe pse ai që përshkruhet si një djalë i mirë kishte një armë? Ka ende shumë pyetje që duhet të marrin përgjigje. Puna e hetuesve vijon për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. /btvnews.al