Në kuadër të bashkëpunimit dhe ofrimit të shërbimeve sa më cilësore në dobi të qytetarëve të Qarkut Dibër u zhvillua një takim midis Drejtorisë Vendore të policisë Dibër dhe kryetarit të Bashkisë, Rrahim Spahiu.
Në takim u diskutua për rritjen e kapaciteteve në parandalimin e depërtimit të fenomeneve negative në shkolla, rritjen e sigurisë rrugore në akset rrugore gjatë sezonit të dimrit si dhe parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër Drejtues Dhimitraq Ziu, gjatë fjalës së tij, falënderoi pushtetin vendor, për bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimeve dhe theksoi domosdoshmërinë e forcimit të këtij bashkëpunimi, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në tërësi, në veçanti parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore (ndërtimet pa leje, prerjet e paligjshme të pyjeve, gërryerja e lumenjve, shpërdorimi i tokës, ndotja e ambientit etj).
Teme e diskutimeve ishte dhe bashkëpunimi mes strukturave të Policisë, pushtetit vendor dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, për evidentimin e akseve rrugore që kanë problematika lidhur me dëmtimet e krijuara nga kushtet e motit, vendosjen e sinjalistikave rrugore dhe marrjen e masave në kohë, me qëllim përballimin e sezonit dimëror dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, duke parandaluar aksidentet.
Lidhur me sigurinë e nxënësve në shkollat që janë pranë akseve rrugore ku lëvizja e automjeteve është më e shtuar, Drejtori kërkoi që strukturat e Drejtorisë së Policisë të koordinohen edhe me shërbimet e Policisë Bashkiake, për menaxhimin me sukses së trafikut.
Gjithashtu u kërkua bashkëpunimi për krijimin e kushteve të punës pranë zyrave të njësive administrative, për ndihmësspecialistët e policisë së zonave, me qëllim që ata të jenë me afër qytetarëve, për trajtimin dhe zgjidhjen në kohë të konflikteve të ndryshme.
“Strukturat e Policisë së Dibrës janë tërësisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në çdo lloj fushe që shfaqet ajo, zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, reagimin, trajtimin dhe zgjidhjen në kohë dhe në mënyrë profesionale të konflikteve të ndryshme, vlerësimin e të gjitha ankesave të qytetarëve, të ardhura në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo nëpërmjet telefonatave, të gjitha këto në kuadër të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike” – tha ai. /btvnews.al