Efektivët e Policisë Rrugore, ata të Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë janë në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve, në rast nevoje, si pasojë e motit të keq.
Policia njofton se po mbahen kontakte me pushtetin vendor dhe me firmat kontraktore, për pastrimin e atyre segmenteve në të cilat ka rënie inertesh.
Të gjithë inspektorët e Policisë në zona ndodhen në zonat e tyre dhe janë në kontakt me administratorët e njësive administrative dhe me kryepleqtë e fshatrave, për t’iu ardhur në ndihmë në rast nevoje.
Nisur nga moti i keq me reshje shiu të dendura, që ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve, Policia Rrugore ka rritur prezencën në rrugë dhe monitorimet me mjetet inteligjente, në të gjithë vendin.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore dhe të moderojnë shpejtësinë, pasi në disa akse rrugore ka prezencë të ujit në rrugë dhe rënie inertesh.
Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit, ndërsa drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse dhe t’u japin përparësi këmbësorëve, në vijat e bardha./btvnews.al