E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Policia sekuestron rreth 15 mijë Euro në Muriqan, ishin fshehur në ‘Range Rover’

Policia Kufitare ka goditur një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Policia e Shkodrës bën me dije se janë sekuestruar 14 900 Euro dhe është proceduar penalisht 34-vjeçari i posedonte.

Në një njoftim për mediat, autoritet bëjnë me dije se paratë po vinin nga jashtë vendit dhe ishin fshehur në një automjet tip ‘Range Rover’.

NJOFTIM I POLICISË SHKODËR

Sekuestrohen 14.900 euro, procedohet penalisht 34-vjeçari që nuk i deklaroi në PKK Muriqan.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Muriqan, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Range Rover”, me drejtues shtetasin T. B., 34 vjeç banues në fshatin Hot i Ri, Shkodër.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 14.900 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin T. B., për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit