E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Sezonin turistik të 2022-it e mbajtën në këmbë shqiptarët e Kosovës, italianët, polakët dhe gjermanët

Sektori i turizmit ka shënuar një vit të mbarë në 2022-n, duke tërhequr vizitorë nga e gjithë Europa. Edhe gjatë sezonit veror që sapo lamë pas, peshën kryesore të vizitorëve të huaj e mbajtën hyrjet nga Kosova me 15,3% të totalit të turistëve gjithsej, vendas dhe të huaj.

Shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve të publikuar nga Instituti i Statistikave bëjnë të qartë faktin se shtetasit e Kosovës kanë kontributin më të madh turistik në vend, pas atyre vendas. Sipas INSTAT, rreth 37% të totalit të vizitorëve në vend, që konsiderohen si turistë e zënë ata vendas.

Pas turistëve vendas, renditen shtetasit e Kosovës. Hyrjet e shtetasve nga Kosova, të cilët patën peshën kryesore të turizmit gjatë periudhës qershor-shtator 2022 variuan nga 11%-16.7% muaj pas muaji (shiko grafikun në fund).

Pas shtetasve të Kosovës, për vendin e dytë “garojnë” italianët dhe polakët. Në qershor dhe korrik vizitorët nga Polonia ishin të dytët, me përkatësisht 7.1 dhe 6.3% të totalit të vizitorëve turistikë në vend. Në gusht dhe shtator, stafetën e morën italianët, me përkatësisht 6.7% dhe 8.7% të totalit të numrit të vizitorëve gjithsej.

Gjermanët përbënë rreth 5-6% të totalit, të ndjekur nga shtetasit nga Maqedonia e Veriut (4-5%). Risi për këtë sezon ishin dhe 2.6% turistëve të huaj që vizituan vendin, kryesisht gjatë muajit qershor, pas disa mungesash nga Mbretëria e Bashkuar.

Shtetasit europianë gjithnjë e më tepër po shfaqin interes për Shqipërinë. Rëndësia e këtyre të fundit qëndron në faktin se turistët jo rezidentë janë ata që sjellin më shumë të ardhura në ekonomi, dhe këtë e tregon më së miri edhe rritja e porosive në bare, restorante, hotele, rritja e likuiditetit etj.

Nga Kosova dominojnë turistët që vijnë të paorganizuar, me makinat e tyre, ndërsa polakët vijnë kryesisht përmes agjencive turistike. Në total, gjatë katër mujorit të sezonit turistik 2022, 62.5% e vizitorëve në vend ishin turistë të huaj, pjesa tjetër vendas.

Megjithatë, kriza ka prekur dhe vizitorët e huaj, që po shfaqen më të kufizuar në shpenzime. Fatos Çerenishti, Administrator “FAFA Group” që ofron kapacitete të mëdha akomoduese në zonën e Golemit, pohon se viti 2022 në tërësi, me pjesën e sezonit veror si kryesor, ka qenë i mbarë për hotelerinë.

Por, ai shton edhe pse në numër turistësh ka rritje, shpenzimet e tyre kanë qenë të ulëta, sidomos sa u takon shpenzimeve jashtë paketës, në bar-restorante.

“Ky segment ka shfaqur tkurrje në të ardhura dhe mesa kuptoj është tendenca e kursimit, por edhe mundësive më të ulëta për të shpenzuar nga ana e individëve dhe familjeve, në kushtet e shtrenjtimit të kostos së jetesës me të cilën po përballemi të gjithë”, pohon ai./monitor.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit