Institucionet që kanë kaluar në “sitën” e Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën janar-shtator janë gjetur në shkelje të shumta që kanë sjellë dëm ekonomik por edhe ndikim negativ në administrim të të ardhurave ose shpenzimeve.
Në buletinin e fundit rezulton që ky dëm për të dy zërat të jetë 122 miliardë lekë (mbi 1 miliardë euro), 38% e të cilës vjen nga të ardhurat dhe shpenzimet dhe pjesa tjetër nga shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave.
Konkretisht KLSH nënvizon se në përfundim të auditimeve të kryera përgjatë periudhës janar – shtator 2022 ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare me pasojë dëm ekonomik në të ardhura dhe shpenzime në shumën totale prej 47 miliardë lekë. Në këtë dëm peshën kryesore e mbajnë tatim-taksat me 45 miliardë lekë, tek Doganat 846 milionë lekë, në fushën e shitjes-blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore 421 milionë lekë.
Ndërkohë për të njëjtën periudhë KLSH ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 74 miliardë lekë nga të cilat:
“Nga këto 21,007,564 mijë lekë në fushën e të ardhurave, ku veçojmë vlerën prej 10,182,517 mijë lekë (ose rreth 48% e totalit) e konstatuar në ALBPETROL sha, në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore; si dhe 53,089,493 mijë lekë në fushën e shpenzimeve të kryera jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve, si rezultat i shkeljeve të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keq menaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor, ku veçojmë vlerën 32,817,583 mijë lekë (ose rreth 62% e totalit), konstatuar në Ministrinë e Financave, më konkretisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit dhe Drejtorinë e Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj” thuhet në publikimin e KLSH.
Në total , për periudhën janar – shtator 2022, në përfundim të 120 auditimeve të kryera, KLSH ka dhënë opinione për 97 prej tyre , nga të cilat: 26 opinione financiare për auditimet financiare, 315 opinione përputhshmërie për auditimet e përputhshmërisë dhe 40 janë opinione financiare dhe përputhshmërie.
Nga auditimet e realizuara gjatë nëntë mujorit të vitit 2022 ka përcjellë në Prokurori 1 kallëzim penal.
Konkretisht, në auditimin e kryer në DVASHK Sarandë me kallëzimin penal të përcjellë në Prokurori janë kallëzuar 6 persona të konstatuar me shkelje të rënda të cilët janë drejtues të nivelit të lartë e të mesëm (Ish-Drejtor,Drejtoria Rajonale ALUIZNI-t, (aktualisht DVASHK Sarandë); Ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, aktualisht specialist; Ish-Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit, Ish-Përgjegjës i Sektorit të Çështjeve të Pronësisë; Ish-Përgjegjës i Sektorit të Çështjeve të Pronësisë; Ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë). /Monitor