Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, është përjashtuar për 5 ditë nga Kuvendi, pasi sipas Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, ka fyer kreun e grupit parlamentar socialist, Taluant Ballën.
Vasili pati një debat me Ballën sot paradite gjatë seancës plenare dhe për fjalët e përdorura është ndëshkuar nga Kuvendi. Gjatë debati ai përdori fjalët ‘idiot’ dhe ‘skizofren’ ndaj kreut të grupit të PS.
NJOFTIMI I KUVENDIT
Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, marrë shkas nga sjellja joparlamentare e deputetit z. Petrit Vasili, ku gjatë leximit dhe interpretimit jo të saktë të Rregullores së Kuvendit dhe në kundërshtim me procedurat, ju drejtua me fjalë fyese Kryetarit te Grupit të PS, z. Balla, në fillim të punimeve te seancës plenare, datë 24.11.2022.
Në zbatim të nenit 63 pika ç dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 5 (pesë) ditë” për deputetin z. Petrit Vasili. Ky vendim hyn në fuqi në datën 25.11.2022./btvnews.al