E diel, 24 Nëntor, 2024

OKB nis hetime për shtypjen e protestuesve nga regjimi në Iran

Organi më i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut vendosi të enjten të nisë një mision të ri për hetimin e shtypjes së protestave masive nga regjimi iranian. Këto protesta kanë kapluar Iranin që nga shtatori i sivjetmë.

Mocioni u miratua me 25 vota për, 6 kundër dhe 16 abstenime në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Aktivistë dhe disa diplomatë festuan me brohoritje dhe duartrokitje përderisa rezultati po lexohej nga presidenti i Këshillit.

Përfaqësuesja e Teheranit në takimin e Gjenevës, Khadijeh Karimi akuzoi paraprakisht shtetet perëndimore se po përdorinin këtë këshill për ta sulmuar Iranin, gjë që ajo e quajti “të tmerrshme dhe të turpshme”.

Kina u përpoq, por nuk arriti ta kalonte një amendament për këtë mocion, që do të kishte hequr paragrafin kryesor që i referohej hetimit për shtypjen e protestave masive nga Irani.

I dërguari i Kinës, Jiang Yingfeng, i tha Këshillit se mocioni i udhëhequr nga Gjermania ishte “tejet kritik” ndaj Iranit. “Kjo padyshim që nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit”, shtoi ai, duke kërkuar fshirjen e një paragrafi kyç.

Përfaqësues nga dhjetëra vende që e mbështesnin mocionin, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, e kritikuan kërkesën e Kinës dhe kërkuan që këshilli 47-anëtarësh i Gjenevës ta votojë mocionin pa atë amendament. “(Amendamenti) u mohon të mbijetuarve, familjeve dhe viktimave të drejtën që vuajtjet e tyre të regjistrohen,” tha ambasadori britanik në OKB, Simon Manley.

Ambasadorja e SHBA-së për të drejtat e njeriut, Michele Taylor, tha se ishte “e tmerruar” nga kërkesa e Kinës në minutën e fundit. Përfaqësuesit e Iranit e kritikuan disa herë këtë mocion, të cilin e quajtën “plotësisht të njëanshëm”.

Protestat kundër regjimit klerik të Iranit shpërthyen dy muaj më parë, pas vdekjes në paraburgim të një gruaje 22 vjeçe, e cila u arrestua nga policia e moralit për, siç u tha, shkelje të rregullave të hixhabit.

Autoritetet thonë se Mahsa Amini humbi jetën nga sulmi në zemër, por familja e saj dhe iranianë të tjerë besojnë se ajo vdiq si rezultat i rrahjes nga policia. Raportohet se protestat janë përhapur në 140 qytete dhe qyteza të Iranit dhe se janë shndërruar në sfidën më të madhe për Republikën Islamike në më shumë se dhjetë vjetët e fundit./REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit