Ditën e enjte në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Xhevdet Doda” është festuar 65-vjetori i kësaj shkolle. Ishin të ftuar dhe morën pjesë mësues veteran të kësaj shkolle. Ish-drejtues të saj, dhe ish nxënës të dalë nga kjo shkollë.
Morën pjesë edhe kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, dhe nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu. Të ftuarit u pritën nga ish-nxënësja, aktualisht edhe drejtoresha e kësaj shkolla Lindita Kaja e cila në fillim i ftoi të pranishmit të vizitojnë muzeun e kësaj shkolle ku ishte pasqyruar historiku i saj në vite.
Në stendat e këtij muzeu ishte publikuar edhe veprimtaria e mësuesve veteran që kanë kontribuuar me mësimdhënien në këtë shkollë. Më pas u kalua në pjesën tjetër të muzeut të shkollës në atë etnografik ku ishte paraqitur edhe pjesa e trashëgimisë kulturore e zonës së Bulqizës.
Nga ky ambient i këndshëm drejtoresha e kësaj shkolle si organizuese e kësaj ceremonie u uroj mirëseardhjen të gjithë të ftuarve. Vijuan më pas me përshëndetjet e tyre edhe ish-drejtori i kësaj shkolle Myfit Dervishi dhe ish-mësuesi Bashkim Lami.
Me këtë rast drejtoria e kësaj shkolle kishte shtruar edhe një kokteil për të ftuarit pjesëmarrës të cilët përshëndetën duke kujtuar edhe vitet që kanë punuar dhe mësuar në këtë shkollë me traditë në qytetin tonë.
Më pas të pranishmit dhe nxënës të kësaj shkollë u nisën drejt pallatit të kulturës për të marrë pjesë në një takim solemn në përkujtim të 65-vjetorit të shkollës 9-vjeçare Xhevdet Doda, dhe për të ndjekur koncertin festiv të përgatitur nga mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle.
Fjalën e rastit e mbajti drejtoresha e kësaj shkolle Lindita Kaja e cila në fjalën e saj tha se ‘ndihem e lumtur në këtë ditë të madhe feste për shkollën tonë dhe për të gjithë qytetarët e Bulqizës që po përkujtojmë së bashku 65-vjetorin e shkollës Xhevdet Doda’.
Në këtë takim përshëndeti të pranishmit edhe kryetari i Bashkisë Bulqize Lefter Alla. Në vijim të pranishmit ndoqën koncertin festiv të përgatitur me këtë rast./btvnews.al