Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike për me ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike.
Në një postim në mediat sociale, Bardhi shkruan se kjo është një lajthitje e gjykatës, ose një errësim i syve nga oligarkët e investimeve strategjike.
“Guximi i Gjykatës Kushtetuese për të ndryshuar objektin e kërkesës së 1/5 së deputetëve mund të shpjegohet vetëm me errësimin e syve nga oligarkët e investimeve strategjike. Është akt i paprecedent vendimi i sotëm i GJK që nuk shprehet për kërkesën e paraqitur, por supozon për ekzistencën e një kërkese që nuk është paraqitur.
Në GJK nuk është paraqitur asnjë kërkesë për zgjidhje të mosmarrëveshjes së kompetencave mes pakicës dhe shumicës. 1/5 e deputetëve kanë të drejtë të kërkojnë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe kanë paraqitur këtë kërkesë.
Të ndryshosh objektin e kërkesës dhe të shprehesh për një kërkesë që nuk është paraqitur është lajthitje. Kush i detyroi anëtarët e GJK të lajthisin për llogari të oligarkëve?! Disa vendime të GJK për interpretimin e Kushtetutës me kërkesë të 1/5 së deputetëve”, është ky reagimi i Bardhit./btvnews.al