E premte, 15 Nëntor, 2024

Gjykata Kushtetuese rrëzon PD për komisionin hetimor për investimet strategjike

Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar që të shqyrtojë kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit për Investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë.

Kërkesa e deputetëve demokratë nuk ka kaluar fare në seancë plenare dhe është rrëzuar që në mbledhjen e gjyqtarëve në seancë paraprake pasi sipas Kushtetueses kërkesa duhet të ishte dërguar nga po të njëjtët që kishin firmosur për ngritjen e Komisionit Hetimor (pra 35 deputetë) dhe jo 28.

Gjykata Kushtetuese në vendim evidenton faktin se këtu kemi të bëjmë me një kërkesa për përplasje kompetencash dhe për këtë arsye kërkuesi për zgjidhjen e ‘konfliktit të kompetencës’ duhet të jetë pikërisht 35 deputetët të cilëve nuk iu pranua kërkesa nga Kuvendi i Shqipërisë.

Vendimi është marrë me shumicë votash ndërkohë që anëtaret e Gjykatës Kushtetuese  Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari kanë votuar kundër dhe kanë dhënë edhe mendim pakice.  Sipas tyre kërkesa plotësonte kushtet për fillimin e gjykimit kushtetues dhe duhej të kalonte për shqyrtim në seancë plenare. Sipas tyre, duhej të merrej parasysh e drejta e 1/5 së deputetëve për të vënë në lëvizje gjykatën dhe gjykata të bënte një interpretim përfundimtar të dispozitës kushtetuese.

Partia Demokratike kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor për Investimet Strategjike, pasi sipas tyre janë shkelur ligjet në dhënin e statusit të investitorit strategjik./btvnews.al

Vendimin e plotë e lexoni KËTU

Artikuj te ngjashem

Me te fundit