E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Aplikimet për azil: 15300 shqiptarë kanë ikur zyrtarisht në BE e Britani këtë vit

Aplikimet për azil kanë vijuar tendencën rritëse përgjatë këtij viti, ndonëse ato mbeten më të ulëta në krahasim me periudhën e para pandemisë.

Sipas statistikave të Eurostat, në gusht është regjistruar numri më i lartë i aplikimeve për azil për këtë vit, duke arritur në 950.

Për gjithë periudhën janar- gusht janë shënuar gjithsej 6720 aplikime, me një rritje prej 65% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, në krahasim me para pandeminë, aplikimet për azil mbeten 43% më të ulëta për të njëjtën periudhë.

Të dhënat paraprake për shtatorin, ku nuk raportohen të gjitha shtetet, tregojnë se tendenca është përshpejtuar. Nga të dhënat e deritanishme janë gati 1400 aplikime për azil vetëm në muajin shtator.

Që prej vitit 2019, Eurostat nuk i raporton më të dhënat për aplikimet në Mbretërinë e Bashkuar.

Statistikat e tjera të Mbretërisë së Bashkuar në faqen e internetit www.gov.al, tregojnë se vetëm në 6- mujorin e parë të vitit kërkuan azil nga Shqipëria 7,267 persona, 8% më shumë se sa aplikuan në të gjitha vendet e Bashkimit Europian për 8 mujorin.

Në total, duke përfshirë aplikimet në BE së bashku me të dhënat paraprake për shtatorin dhe aplikimet në Mbretërinë e Bashkuar, për 6 mujorin, numri i personave që kanë ikur zyrtarisht këtë vit është rreth 15.3 mijë.

Aplikimet për azil deri në shtator

-Në Bashkimin Europian (janar-shtator) 8,115

-Në Mbretërinë e Bashkuar (janar-qershor) 7,267

TOTALI 15,382

Në Bashkimin Europian, sipas të dhënave të detajuara të Eurostat, Franca vijon të mbetet më e preferuara, me gjysmën e aplikimeve që shkojnë në këtë shtet, të njohur për politikat sociale. Pas Francës renditet Gjermania me rreth 21% të aplikimeve.

Aplikimet në Bashkimin Europian

Sipas Eurostat, 77,5 mijë azilantë për herë të parë jo shtetas të Bashkimit Europian u regjistruan në gusht të vitit 2022.

11 mijë persona më shumë aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare, krahasuar me muajin e kaluar që përkthehet në një rritje prej 17%.

Krahasuar me gushtin e vitit 2021, numri total i kërkesave ka pësuar një rritje prej 54% .

Për të njëjtin muaj, 6,100 persona riaplikuan për azil pasi ishte marrë një vendim i mëparshëm, me një rritje prej 4% se krahasuar me korrikun e vitit 2022.

Për të njëjtin muaj të vitit 2021, numri ka pësuar rënie prej 11%./Monitor/

Artikuj te ngjashem

Me te fundit