E shtunë, 23 Nëntor, 2024

SHBA: Rusia shtyn bisedimet për inspektimin e armëve bërthamore

Rusia ka shtyrë bisedimet me Shtetet e Bashkuara lidhur me armët bërthamore, që ishin paraparë të mbaheshin gjatë kësaj jave në Kairo, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit më 28 nëntor, teksa asnjëra palë nuk dha arsye për shtyrjen e bisedimeve.

Zyrtarët nga të dyja shtetet ishin paraparë të takoheshin në kryeqytetin egjiptian nga 29 nëntori deri më 6 dhjetor për të diskutuar për rinisjen e inspektimeve nën traktatin New START, që ka për qëllim reduktimin e armëve bërthamore. Bisedimet ishin pezulluar në mars të vitit 2020 për shkak të pandemisë COVID-19.

“Pala ruse ka informuar SHBA-në se Rusia në mënyrë të njëanshme ka shtyrë takimin dhe ka thënë se do të propozojë data të reja për mbajtjen e takimit”, u tha në deklaratën e një zëdhënësi të DASH-it.

DASH nuk ka dhënë informacione të tjera, por tha se Uashingtoni “është i gatshëm të caktojë datën e re sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi që rinisja e inspektimeve është prioritet për ruajtjen e traktatit si instrument të stabilitetit”.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka konfirmuar se bisedimet janë shtyrë. Traktati New START, që hyri në fuqi më 2011, kufizon numrin e kokave strategjike bërthamore që SHBA-ja dhe Rusia mund të dislokojnë, dhe po ashtu kufizon dislokimin e raketave tokësore dhe atyre të vendosura në nëndetëse.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, kishte ulur shpresat se në bisedimet me SHBA-në do të mund të arrihej ndonjë përparim. Megjithatë, bisedimet mes dy shteteve ishin parë si shenjë se të dyja palët duan të mbajnë dialogun edhe pse raportet mes tyre janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë./REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit