E diel, 24 Nëntor, 2024

Putin propozon krijimin e një unioni për gazin natyror, ja shtetet që do të përfshihen

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka propozuar krijimin e një “unioni të gazit” me Kazakistanin dhe Uzbekistanin me qëllim që të krijohet një mekanizëm për transportin e gazit natyror në mes këtyre tri shteteve dhe shteteve të tjera, përfshirë Kinën.

Një ditë pasi presidenti kazak, Qasym-Zhomart Toqaev, tha se ka biseduar në Moskë me Putinin për këtë çështje, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov konfirmoi më 29 nëntor se ky propozim po diskutohet mes këtyre tri shteteve sepse ka “nevojë për sinkronizim” pasi që të gjitha këto shtete shesin gaz natyror.

Faza e parë e propozimit të Putinit përfshin “krijimin e një mekanizmi koordinues” për këtë plan, tha Peskov.

“Kjo çështje me gjasë do të diskutohet me një entitet juridik për të vendosur bashkëpunimin mes tri shteteve dhe për të siguruar zhvillimin e infrastrukturës për tregjet e jashtme”, tha Peskov.
Zëdhënësi i Toqaevit, Ruslan Zheldibai shkroi në Facebook më 29 nëntor se presidenti kazak dhe ai rus kanë diskutuar se si të “koordinojnë veprimet e përbashkëta për transportin e gazit rus përmes territoreve të Kazakistanit dhe Uzbekistanit”.

“Presidentët Qasym-Zhomart Toqaev dhe Vladimir Putin kanë thënë se mendojnë se është e nevojshme të zhvillojnë biseda të detajuara me pjesëmarrjen e ekspertëve për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme për këtë çështje që e konsiderojnë se është në interes të të gjitha palëve të përfshira”, shkroi Zheldibai.

Peskov theksoi se pasi që rajonet veriore të Kazakistanit varen nga gazi natyror që transportohet nga Siberia e Rusisë, do të ishte ekonomikisht e dobishme për të rritur furnizimet me gazin rus në vend se të ndiqet plani i Qeverisë kazake për ndërtimin e një gazsjellësi të ri, që do të siguronte furnizime me gaz kazak për rajonin. Kjo, sipas zëdhënësit të Kremlinit, do t’i kursente Astanës “dhjetëra miliarda dollarë”.
Rusia është një prej eksportuesve më të mëdha të gazit natyror, ndërkaq sasia e gazit natyror që prodhojnë Kazakistani dhe Uzbekistani mezi është e mjaftueshme për konsum të brendshëm.

Këto dy shtete në Azinë Qendrore kanë një gazsjellës të përbashkët për në Rusi dhe një gazsjellës që transporton gazin natyror nga Turmenistani për në Kinë.

Moska ka rritur dërgesat me gaz natyror për në Kinë që kur shtetet evropiane nisën të ulin varësinë e tyre ndaj gazit rus, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit./REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit