Rrugët e ndjekura nga personat të cilët dëshirojnë të largohen nga vendet e tyre drejt shteteve më të zhvilluara, janë të shumta.
Emigrantët e paligjshëm gjejnë gjithmonë një mënyrë për të shkuar në vendin që synojnë, pavarësisht sa masa merren nga shtetet e destinacionit për të ndaluar një gjë të tillë apo se sa e rrezikshme është rruga e ndjekur.
The Times raporton se tre emigrantë udhëtuan për 11 ditë në një anije cisternë nafte, saktësisht në një pjesë të jashtme të anijes që mban drejtimin, pra fleta që drejtohet nga timoni. Ndërkohë mësohet se kjo anije udhëtonte nga Nigeria, përmes oqeanit Atlantik për në ishujt Kanarie në Spanjë.
Roja bregdetare spanjolle ndau një foto të emigrantëve pas një udhëtimi prej 2700 miljesh detare, ndërkohë që udhëtimi mësohet se ka nisur më 17 nëntor.
Emigrantët u trajtuan për dehidrim dhe hipotermi, ndërsa rojet spanjolle tregojnë se ata nuk kishin me vete asnjë bagazh. Vendi ku ishin futur emigrantët ishte shumë i vogël dhe ato nuk kishin hapësirë të nevojshme as për tu ulur.
“Nuk është e para dhe nuk do të jetë e fundit. Megjithatë udhëtarët nuk janë gjithmonë kaq fatlumë”, shkroi Txema Santana, një këshilltare për migracionin në qeverinë e Ishujve Kanarie, në një postim në Twitter.
Numri i emigrantëve që mbërrijnë në Kanarie është rritur ndjeshëm që nga fundi i vitit 2019, pasi kontrollet në rrugët e Mesdheut u shtrënguan. Të dhënat spanjolle tregojnë se migrimi nga deti drejt arkipelagut u rrit me 51 për qind në pesë muajt e parë të vitit krahasuar me një vit më parë.
Varfëria e përhapur në Nigeri, kombi më i populluar i Afrikës, po shtyn një numër në rritje të popullsisë së saj në moshë të re për të kërkuar mundësi diku tjetër. Në shtator, dhjetëra të mbijetuar nigerianë që u shpëtuan nga ujërat e Liberisë pasi u fshehën në një varkë raportuan se dy nga grupi i tyre ishin torturuar dhe më pas ishin hedhur në det.