Më shumë se 1.300 të burgosur janë kthyer në Ukrainë që kur trupat ruse nisën pushtimin e vendit, tha të enjten presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai tha kështu pas një tjetër këmbimi të të burgosurve mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Pas këmbimit të sotëm, tashmë 1.319 heronj që janë kthyer në shtëpi”, tha Zelensky në Instagram, duke postuar një foto që tregon disa dhjetëra burra që mbajnë flamuj ukrainas.
“Nuk do të ndalemi derisa t’i kthejmë të gjithë njerëzit tanë”, tha ai. Shefi i stafit të kabinetit të Zelenskyt, Andriy Yermak, tha se 50 ukrainas janë kthyer në shtëpi gjatë këmbimit të fundit.
Në korrik, dhjetëra ushtarë ukrainas vdiqën pas bombardimeve të burgut Olenivka në rajonin lindor të Donjeckut. Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulmet. Burgu Olenivka është nën kontrollin e autoriteteve të mbështetura nga Rusia në Donjeck që nga viti 2014, dhe kushtet në këtë burg thuhet se janë të rënda.
Në një takim me Kryqin e Kuq në tetor, Rusia tha se mbante rreth 6.000 robër lufte ukrainas. Rusia dhe Ukraina kanë këmbyer një numër të madh të të burgosurve të luftës –puthuajse 300 persona – në shtator.
Ky është këmbimi më i madh të burgosurve që nga nisja e luftës. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL