Duke dashur të shmangin faturat që lidhen me trajtimin e një emigranti që kërkon azil në pretekstin se është viktimë e skllavërisë moderne, autoritet britanike pretendojnë se këta persona duhet të kthehen menjëherë drejt vendit të tyre.
sunak
E duke pasur parasysh faktin se shqiptarët janë më të shumtët në numër që kërkojnë azil me këtë arsyetim, atëherë edhe deportimi i tyre do të jetë i shpejtë. Madje, mediat angleze kanë treguar ditën e djeshme se ky është edhe thelbi i bisedës mes dy kryeministrave, të cilët janë ndaluar pikërisht në këtë pikë për të saktësua pozicionin, në të cilin gjenden të dyja vendet.
Duke e konsideruar Shqipërinë një vend të sigurt, ndonëse autoritetet britanike përballen përditë me rrëfime tronditëse të sigurisë së vendit tonë, “The Times” ka bërë me dije se dy kryeministrat në bisedën e tyre telefonike kanë folur mbi shqiptarët që abuzojnë me ligjin britanik të azilit.
GAZETA E LONDRËS
Gazeta “The Times” e Londrës ka zbuluar detaje të reja nga biseda telefonike të enjten mes Kryeministrit Edi Rama dhe homologut anglez, Rishi Sunak. “Shqiptarët, të cilët abuzojnë me ligjin britanik të skllavërisë moderne për të shmangur dëbimin, mund të kthehen në Shqipëri dhe pretendimet e tyre si viktima të skllavërisë moderne do të mund të shqyrtohen në vendin e tyre”, shkruan “The Times”.
Kjo, thotë “The Times”, është diskutuar mes dy kryeministrave në mënyrë që emigrantët ilegalë shqiptarë që mbërrijnë me gomone, mund të dëbohen pa pasur mundësi apelimi për refuzimin e menjëhershëm të kërkesave për azil.
E gjithë kjo, thekson “The Times”, vjen në kuadër të një plani shoqëruar me një marrëveshje të re mes dy qeverive për dëbimin e shpejtë të shqiptarëve. Ky plan, sipas “The Times”, është një hap afër pas telefonatës së Edi Ramës me homologun Rishi Sunak pasditen e së enjtes.
Muajin e shkuar ishte sekretarja për Punët e Brendshme, Suella Braverman, ajo e cila la të kuptohet për këtë plan, i cili i jep fund abuzimit sipas saj nga shqiptarët, të ligjit për skllavërinë moderne, përmes të cilit bllokohet deportimi i tyre drejt Tiranës.
Gazeta përmes shifrave ilustron abuzimin e këtij ligji kur thotë se 3,432 shqiptarë gjatë 9 muajve të 2022 kanë kërkuar azil, pikërisht duke ngritur pretendimin se ata janë viktima të skllavërisë moderne.
Këto aplikime i rendisin shqiptarët si nacionalitetin e parë me numrin më të madh të azilkërkimit, bazuar pikërisht në këtë ligj. Sipas këtij ligji që pritet të ndryshojë, ata të cilët kërkojnë azil si viktima të skllavërisë moderne u lejohet të qëndrojnë në Angli derisa Ministria e Punëve të Brendshme ‘Home Office’ jep përgjigjen përfundimtare të pranimit apo refuzimit të kërkesës. Koha e përgjigjes së shqyrtimit të kërkesës nga Home Office, thotë “The Times”, zgjat më shumë se 1 vit e gjysmë dhe faturën e akomodimit, përfshi atë të ndihmës ligjore, duhet ta paguajë shteti anglez.