2022-shi ishte viti i fundit i zbatimit të taksës së infrastrukturës në arsim, por Bashkia Tiranë pritet që ta shtyje atë dhe me tre vjet të tjera.
Lajmi bëhet i ditur në relacionin e projektbuxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2023.
Taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Taksa u vendos në vitin 2016 dhe kishte një afat 7 vjeçar, por tashmë parashikohet të zgjatet deri në 2025-n.
“Taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore e ka vitin e fundit të aplikimit vitin 2022. Duke qenë se nevojat për infrastrukturë arsimore dhe angazhimet në këtë fushë do të shtrihen përtej kësaj periudhe parashikohet mbulimi i këtyre nevojave me rivendosjen e kësaj takse të përkohshme për një periudhë tjetër 3 vjeçare”, thuhet në relacionin e projektbuxhetit 2023-2025 të Bashkisë Tiranë.
41 milionë euro të mbledhura nga kjo taksë deri tani
Që nga viti 2016, kur hyri në fuqi, deri në 2022 (pritshmëri), Bashkia Tiranë ka arkëtuar gjithsej nga kjo taksë rreth 4.8 miliardë lekë të ardhura, ose rreth 41 milionë euro, sipas të dhënave në relacion.
Mesatarisht në vit arkëtohen rreth 6 milionë euro nga kjo taksë. Nëse do të zgjatet afati edhe për 3 vite të tjera, shuma totale që parashikohet të arkëtohet është 6.6 miliardë lekë, ose 56 milionë euro.
Për kategorinë i “Familjarët” detyrimi paguhet në 12 këste të barabarta, për çdo muaj përkatësisht në shumën 150 lekë për çdo familje. Ky detyrim evidentohet në faturën e konsumit të ujit.
“Taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore ka një realizueshmëri të kënaqshme që nga koha e hyrjes në fuqi, në vitin 2016, si për kategorinë biznese edhe për kategorinë familjarë. Gjatë vitit 2021-2022 janë shlyer detyrime të prapambetura nga subjektet në lidhje me detyrimet e vitit 2020”, thuhet në relacionin e Bashkisë.
Në relacion Bashkia thotë se ka në plan ndërtimin e shkollave të reja; përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së procesit mësimor; Infrastrukturë të re sipas standarteve si në zonat urbane edhe rurale; Infrastrukturë ekzistuese e përmirësuar; Rritja e sigurisë në rrugë e në objektet shkollore; Rritja e Aksesit dhe gjithëpërfshirjes në Arsimin Parauniversitar; Rritja e aksesueshmërisë për grupet e pafavorizuara; Shkollat si qendra komunitare.
Bashkia e Tiranës thotë në relacion se po vijon skemën e partneritetit publik-privat për ndërtimin e 17 shkollave të reja, në programin e arsimit parauniversitar.
“Me ndërtimin e 10 shkollave të reja 9-vjeçare dhe 7 shkollave të reja të mesme, në qytetin e Tiranës do të marrë fund problemi i mësimit me dy turne. Përmes partneritetit publik privat, shkollat e reja do të ndërtohen me financimin e koncensionarit dhe Bashkia Tiranë do t’i paguajë me këste vjetore për një periudhë 7 vjeçare me anë të të ardhurave të mbledhura nga Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore.
Pjesë e projekteve të këtij programi janë edhe objektet arsimore parashkollor dhe parauniveristare ekzistente, të cilat kërkojnë investime që synojnë përmirësimin e infrastrukturës arsimore, ambjenteve ndihmëse e rekreative, shtesa katesh etj.
Investimet në këtë program do të përbëjnë 10% të buxhetit të investimeve të Bashkisë së Tiranës për periudhën 2023-2025.
Programi ka të parashikuar si objektiv edhe shfrytëzimin e infrastrukturës së objekteve të arsimit parauniveristar pas përfundimit të proçesit të mësimit në dobi të nxënësve dhe komunitetit, por edhe mbështetje duke dizenjuar dhe aplikuar projekte social-arsimore që ndikojnë dukshëm në edukimin e fëmijëve. Gjithashtu është planifikuar që të ndërtohen shkollat ekzistuese si psh: Ndërtimi i shkollës 9 vjecare “Edit Durham” dhe Ndërtimi i shkollës 9 vjecare “Pjetër Budi””, thuhet në relacion. /Monitor