Sherr mes dy ortakëve në një biznes (lokal) ka përfunduar në dyert e policisë, ndërsa një prej tyre është shpallur në kërkim.
Burime zyrtare bënë me dije se shtetasi me inicialet A. M., së bashku me shtetasin me inicialet A. Ll., administronin së bashku një lokal, në rrugën “Marie Kraja”, të cilin e kishin vendosur në dispozicion për përdorimin e lëndëve narkotike.
Shtetasi me inicialet A. M., kishte kanosur bashkëpunëtorin e tij, të riun me inicialet A. Ll., e kishte dhunuar dhe e shtrëngonte për dhënie pasurie, pasi ky i fundit konsumonte lëndë narkotike dhe nuk kryente pagesën për të.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6., operacioni policor i koduar “Complication”. Kanosi dhe ushtroi dhunë ndaj bashkëpunëtorit të tij, për dhënie pasurie, shpallet në kërkim 31-vjeçari i cili kishte vënë në dispozicion lokalin e tij, për përdorim droge.
Vihet në pranga një shtetas dhe procedohen penalisht dhe tre shtetas të tjerë, klientë në këtë lokal.
Sekuestrohen sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, mjete për konsumim të lëndëve narkotike, një përforcues grushti dhe tre aparate celulare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas kallëzimit të marrë nga shtetasi A. Ll., se një person, me të cilin kishte një biznes të përbashkët, në rrugën “Marie Kraja”, e kishte dhunuar dhe e kanoste për dhënie pasurie, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Complication”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi K. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u proceduan penalisht shtetasit A. Ll., 24 vjeç, E. R., 34 vjeç, E. C., 33 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim shtetasi, A. M., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. M., së bashku me shtetasin A. Ll., administronin së bashku një lokal, në rrugën “Marie Kraja”, të cilin e kishin vendosur në dispozicion për përdorimin e lëndëve narkotike. Shtetasi A. M., kishte kanosur bashkëpunëtorin e tij, shtetasin A. Ll., e kishte dhunuar dhe e shtrëngonte për dhënie pasurie, pasi ky i fundit konsumonte lëndë narkotike dhe nuk kryente pagesën për të. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit E. R., dhe E. C., pasi kanë pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk e kanë kallëzuar atë, në organet kompetente.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e këtij lokali, shtetasit K. M., iu gjetën një përforcues grushti (dorezë metalike), një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sëbashku me tre aparate celulare dhe mjete që shërbejnë për konsumim të lëndëve narkotike.
Po punohet për kapjen e shtetasit A. M.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. /btvnews.al