Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur nga protesta dhe është shprehur se samiti i liderëve të BE është i mirëpritur në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Berisha tha se prania e qeveritarëve më të lartë të BE është mbështetja më e madhe që vlerat evropiane në Shqipëri kanë marrë në vendin tonë.
“Nga ky shesh, në Shqipëri dhe kudo që jeni, përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të pakufishme. Së pari, në emrin tuaj, më lejoni t’ju uroj me gjithë zemrën, mirëseardhjen në Tiranë, shtetarëve më të lartë të vendeve anëtare të BE.
Për ne, është një rast shumë i veçantë, që t’u shprehim atyre, vendeve të tyre mirënjohjen më të pakufishme për ndihmën e gjithanshme që i jepni shqiptarëve. Prania e qeveritarëve më të lartë të BE është mbështetja më e madhe që vlerat evropiane në Shqipëri kanë marrë në vendin tonë.
Ky samit është një mbështetje e madhe për shqiptarët dhe PD-në, forcën politike që në betejë për vlerat evropiane, me moton: E duam Shqipërinë si Europa, përmbysi diktaturën komuniste. Tre dekada më parë, ne nisëm rrugën e demokracisë si kombi i tretë më i varfër i planetit. Sot nga ajo kohë, të ardhurat janë rritur së paku 25 herë.
Bujaria e kombeve dhe vendeve tuaja, ka qenë e një rëndësie thelbësore në këtë arritje, ndaj dhe ne u mbetemi borxhli përjetë ju dhe taksapaguesve tuaj”, u shpreh Berisha./btvnews.al