E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Policia e Shtetit: Deputetin Berisha e goditi një njeri me precedentë kriminalë dhe me çrregullime psikotike!

Policia e Shtetit ka reguar për sulmin ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në komunikatën zyrtare, Policia e quan Berishën “deputet”, njëlloj siç e konsideron mazhoranca dhe thotë se personi që e ka qëlluar, Gert Shehu, ka precedentë kriminalë për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve.

Policia shton se ky person ka “çrregullime psikotike”, duke cituar si burim për këtë, familjarët e 31 vjeçarit.

Deklarata e Policisë:

Në lidhje me incidentin e ndodhur në orën 12:25, në tubimin e organizuar ditën e sotme, gjatë të cilit shtetasi G. Sh. goditi me grusht, deputetin S. Berisha, ju bëjmë me dije se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Tiranë po kryejnë veprimet procedurale për shtetasin G.Sh., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Nga verifikimet paraprake rezulton se 31-vjeçari ka precedentë të mëparshëm kriminal, për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve. Gjithashtu, sipas diagnozës klinike, të vënë në dispozicion nga familjarët e tij, 31-vjeçari vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh, për këtë.

Hetimet po vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit