E enjte, 28 Nëntor, 2024

Ish-kreu i KLP, Gent Ibrahimi emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Ish-kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi është emëruar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Në një njoftim për mediat nga Presidenca, bëhet me dije se Ibrahimi ka zëvendësuar gjyqtarin Përparim Kalo.

Në garë për të zëvendësuar Kalonin, ishin dhe Arta Vorpsi dhe Arta Marku, por nuk kanë arritur që të marrin aq pikë sa Ibrahimi, ku pikëzimi është bërë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.  Pas vendimmarrjes së KED-së, Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar Genti Ibrahimin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e krijuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me mbarimin e mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 13413 datë 13.01.2022.

Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me vendimin nr. 46 datë 28.10.2022 ka vendosur miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 13.01.2022, si më poshtë: Genti Ibrahimi   88.38 pikë; Arta Vorpsi 88.22 pikë; Arta Marku 82.66 pikë.

Presidenti i Republikës, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe duke vlerësuar nevojën për plotësimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me Dekretin nr. 13877, datë 7.12.2022, ka vendosur që: Genti Ibrahimi të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit