Të gjitha familjet e dëmtuara nga tërmeti i tre viteve më parë në Qarkun Dibër nuk kanë marrë një banesë të re apo të jenë kompensuar me vlerë që mund t’iu ndërtojë atyre një strehë.
Duke qenë se ky qark u la jashtë zonës së emergjencës civile, këta familje po trajtohen sipas ligjit të mbrojtjes civile, me përllogaritje të dëmit që i është shkaktuar.
Në këto kushte, vlera monetare që ata kanë përfituar është e papërfillshme në krahasim me dëmin që kanë patur pasi kanë mbetur pa një strehë nga lëkundjet e fuqishme të 26 Nëntorit të vitit 2019.
Familja Hoxha nga fshati Bejn i Bashkisë Klos, është rikthyer në banesën e dëmtuar nga tërmeti, ndonëse rreziku që ajo t’i zërë brenda është në shkallë të lartë.
Mersim Hoxha shprehet se vetëm 150 mijë Lekë të rinj ka marrë deri tani, por ato nuk i mjaftojnë për asgjë. Çadra që i kishin dhuruar është totalisht jashtë përdorimit pasi është dëmtuar nga i nxehti i verës dhe ngrica e dimrit.
Në të njëjtën situatë që ndodhet kjo familje, janë edhe disa familje të tjera të cilat në pamundësi për të rindërtuar banesat, jetojnë në çadra./btvnews.al