Gjykata Kushtetuese ka njoftuar këtë të enjte se ka shqyrtuar në seancë plenare kërkesën e Shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, shoqatë e cila ka kërkuar që të quhet e paligjshme pengimi i emigrantëve për të ardhur dhe për të votuar në zgjedhjet e vitit 2021.
“Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021. Deklarimi i Urdhrit nr. 219, datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia” si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, ishte kjo kërkesa nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë.
Gjykata pasi ka shqyrtuar kërkesën e kësaj shoqate ka vendosur pranimin e pjesshëm të padisë.
“Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor. Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Pushimin e gjykimit lidhur me Urdhrin nr. 219, datë 19.04.2021 të Ministrisë së Shëndetësisë”, njofton kushtetuesja.
Pas publikimit të këtij vendimi ka ardhur dhe një reagim nga Partia Demokratike që drejtohej nga Enkelejd Alibeaj.
Në një postim në mediat sociale, PD e Alibeajt deklaron se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e votës së emigrantëve, është një fitore e madhe për shqiptarët dhe votën e lirë në Shqipëri.
“Njëkohësisht, ky vendim është një grusht për zgjedhjet e vitit 2021, të cilat me plot gojën mund të quhen antikushtetuese. Për Partinë Demokratike, ky vendim është dëshmi e asaj që kemi thënë në krye të herës, se mohimi i të drejtës së votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, është cenim i të drejtës kushtetuese të votës. Gjithashtu ky vendim është dëshmi tashmë Kushtetuese, që zgjedhjet e shkuara janë një pasqyrim jo real i votës dhe rrjedhimisht janë zgjedhje të cilësuara tashmë zyrtarisht antikushtetuese”, vijon më tej deklarata./btvnews.al