Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të enjten se brenda dy tre ditësh do të qartësohet çdo gjë lidhur me zgjedhjet për pushtetin lokal në komunat veriore të vendit të banuara me shumicë serbe, të caktuara për t’u mbajtur me 18 dhjetor.
Mbajtja e tyre është vënë në pikëpyetje pas incidenteve të ditëve të fundit pas të cilave organizatat që vëzhgojnë proceset zgjedhore në Kosovë, thonë se mbajtja e zgjedhjeve në kushtet aktuale duket e pamundur.
Presidentja Osmani tha se është duke zhvilluar takime me institucionet e sigurisë në vend dhe se është në pritje të vlerësimit të tyre për situatën, në bazë të të cilës edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të kërkojë nga presidentja shtyrjen e afatit të zgjedhjeve.
“Në qoftë se një kërkesë e tillë vjen, pasi t’i dërgohet vlerësimi i institucioneve të sigurisë KQZ-së, si presidente natyrisht që unë do ta bëjë vlerësimin tim dhe atë do ta ndaj me partitë politike, por patjetër duhet të ketë edhe konsensus, jo unanimitet të plotë meqë nuk kërkohet, por konsensus. Nëse ka konsensus nga shumica dërmuese e partive politike atëherë ky do të jetë vendim i përbashkët”, tha ajo.
Mbajtja e zgjedhjeve për pushtetin lokal në komunat e banuara me shumicë serbe, të parapara për 18 dhjetor, është vënë në pikëpyetje pas incidenteve të ditëve të fundit në zonë, që nxitën shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të situatës.
Autoritetet në Kosovë i cilësuan incidentet sulme të organizuara nga bandat kriminale që veprojnë në veriun e vendit me mbështetjen e Serbisë. Ndërsa zyrtarë të Serbisë akuzuan autoritetet në Prishtinë për siç thanë vazhdimin e terrorit ndaj serbëve.
Shefi i sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, tha të enjten se anëtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore nga Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveqani, kanë deklaruar se e kanë të pamundur të kryejnë punën e tyre.
“Ata theksojnë se e kanë të pamundur të veprojnë në një objekt që menaxhohet nga strukturat jo të komunës, është fjala për objektet në komunat respektive ku duhet të punohet. Gjithashtu sipas deklarimeve të anëtarëve të KKZ-së, ata nuk do të shkojnë në asnjë mënyrë në zyrë në këto rrethana pasi që është në pyetje siguria fizike në njërën anë dhe në anën tjetër është i pamundur funksionimi i KKZ-së duke pasur parasysh rrethanat e lartcekura”, tha ai.
Një pjesë e opozitës tashmë ka kërkuar mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve për shkak të situatës në veri, ndërsa diplomatët perëndimorë kanë shfaqur shqetësimin për mungesën e kushteve për mbajtjen e tyre.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, takoi të enjten pasdite krerët e opozitës në Kosovë për të diskutuar mbi sigurinë dhe zgjedhjet në veri të vendit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha pas takimit me ambasadorin Hovenier se pret nga qeveria që të sigurojë kushtet e favorshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. “Garantimi i sigurisë për secilin qytetar të Republikës së Kosovës duhet të jetë prioritet kryesor”, shkroi zoti Krasniqi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha pas takimit me ambasadorin amerikan se “LDK beson se koordinimi i ngushtë i institucioneve të vendit me aleatët tanë strategjik është garancë e sigurisë sonë nacionale dhe e rrugëtimit tonë euroatlantik”.
Zgjedhjet u shpallën pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi përdoirmin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Ndonëse Kosova dhe Serbia arritën një pajtim për targat më 23 nëntor, nuk pati ndonjë pajtim rreth kthimit të tyre në institucione, ndërsa procesi zgjedhor po bojkotohet nga Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe.
Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, që vëzhgon proceset zgjedhore në Kosovë, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se zhvillimi i procesit zgjedhor në kushtet aktuale është i pamundur.
“Fillimisht kemi pasur dorëheqjet e zyrtarëve përkatës komunal zgjedhor që e kanë vështirësuar jashtë mase administrimin teknik të procesit zgjedhor. Në anën tjetër mospjesëmarrja e kandidatëve të komunitetit serb, me dy përjashtime e madje edhe njëri pastaj është tërhequr nga gara ka treguar shumë për atmosferën me të cilën është pritur se do të përballen jo vetëm qytetarët por edhe institucionet e vendit në tërësi. Rastet e fundit të incidenteve e dhunës të shkaktuara nga grupet kriminale në veri, thjeshtë kanë përmbledhur situatën tejet të brishtë të sigurisë në të cilën ndodhet pjesa veriore e vendit”, tha ai.
Zoti Cakolli tha se rrugëdalja nga kjo situatë është shtyrja e zgjedhjeve për t’i dhënë hapësirë arritjes së një kompromisi.
“Unë besoj që lufta ndërmjet institucioneve se kush do ta marrë përgjegjësinë për dështimin e zgjedhjeve është e papranueshme dhe çfarëdo vonese e mëtutjeshme vetëm se do ta rrisë mundësinë për incidente të tjera deri në ditën e zgjedhjeve, nëse ato nuk do të shtyhen nga ana e presidentes”, tha ai.
Bashkimi Evropian po u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në mënyrë evropiane dhe të përqendrohen në arritjen e një marrëveshje normalizimi në bazë të propozimit që u bë i njohur si nisma franko-gjermane, e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të enjten se kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel, por pa dhënë hollësi për datën e mundshme të takimit./Zëri i Amerikës