Bizneset në të gjithë sektorët pohojnë se mungesa e punonjësve është problem serioz, për zgjidhjen e të cilit nuk kanë përvojë dhe as mjete. Ekonomia shqiptare, kurrë më parë, nuk është përballur me këtë fenomen.
Qeveria e konsideron emigrimin si një fenomen normal. Nga ana tjetër, nuk i ka bërë më të lehta procedurat për sjelljen e punonjësve të huaj në mënyrë të organizuar. Disa biznese e kishin konsideruar si një mjet zëvendësimin e punonjësve shqiptarë me të huaj. Procesi është i vështirë dhe me kosto që aktualisht nuk i plotësojnë emergjencat e momentit.
Në dhjetëvjeçarin e fundit, popullsia në moshë pune ka përfshirë rreth dy të tretat e së gjithë popullsisë së vendit. Në forcën e punës janë përfshirë 63.6% të popullsisë në moshë pune, rreth 1.3 milionë individë, ndërsa pjesa e mbetur përbën popullsinë ekonomikisht joaktive.
Në vitin 2015, për herë të parë që nga përfshirja e vendit tonë në ekonominë e tregut të lirë, popullsia në moshë pune kapi shifrën 2 milionë. Viti 2018 shënoi frenimin e trendit rritës prej mesatarisht 0.4% në vit, që e karakterizoi këtë tregues nga viti 2009.
Rënia e popullsisë nën 34 vjeç po shënon edhe rënien totale të forcës së punës në vend. Sipas projeksioneve të reja të popullsisë 2019 – 2031, për tre nënndarje të grupmoshës së të rinjve, për vitet 2018-2021, sipas të dhënave të mbledhura dhe projeksioneve të INSTAT, shihet qartë që prurjet e moshave 15-19 dhe 20-24 vjeç paraqesin rënie të dukshme në vijim.
Në fillim të vitit 2022, të dhënat zyrtare mbi popullsinë tregojnë se në grupmoshën 15-29 vjeç pati tkurrje me 27,707 persona vetëm në një vit.
Vitin e kaluar, vendi ynë për herë të parë shënoi shtesë natyre negative, ku vdekjet ishin më të shumta se lindjet, duke e bërë të parikuperueshme humbjen e popullsisë.
Sipas të dhënave të AKPA, në fund të vitit 2021, në Zyrat e Punës rezultojnë të regjistruara 46,544 biznese, prej tyre 2,635 subjekte ose 6% janë regjistruar për herë të parë gjatë vitit 2021. Nga të dhënat e regjistrit të subjekteve të regjistruar si punëdhënës, rezulton se rreth 73% e punëdhënësve janë subjekte me 1 – 5 të punësuar dhe 22% me 6 – 50 të punësuar.
Sipas të dhënave të burimeve administrative, në fund të vitit 2021 rezultonin të regjistruar pranë Zyrave të Punësimit 70,646 Punëkërkues të Papunë nga 92,326 në fund të vitit 2020.
Ndërsa gjatë vitit 2021, janë shpallur 24,965 vende të lira pune në zyrat e punësimit, prej tyre 63% janë siguruar nga vizitat e specialistëve në subjekte, 22% nga vetë raportimet e subjekteve dhe 15% e vendeve të lira janë siguruar në mënyra të tjera. Gjithashtu, prej totalit të vendeve të lira shpallura, 19,244 vende të lira ose 77% e totalit janë poste të reja dhe 5,721, ose 23% e totalit, janë zëvendësime.
Mospërputhja e ofertës dhe kërkesës për punë është e gjithanshme sipas të dhënave nga AKPA. Numri i ofertave për punë mbulon vetëm 29% të numrit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar në të gjitha ZP, por nëse në qarqet Tiranë dhe Durrës, kjo shifër shkon përkatësisht 48% dhe 51%, në qarqet Kukës dhe Dibër varion nga 6-12% të totalit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar.
Krahasuar me fundin e vitit 2020, numri i vendeve të lira të punës sipas kategorive profesionale ka pësuar rënie në kategoritë e menaxherëve, specialistëve me arsim të lartë, nëpunësve dhe punonjësve të shitjeve dhe shërbimeve, dhe ka shënuar rritje në kategoritë e zejtarëve dhe zanatçinjve dhe profesioneve elementare.
Sipas aktiviteteve ekonomike kanë pësuar rënie informacioni dhe komunikacioni, shërbimet administrative dhe mbështetëse, dhe aktivitete të tjera shërbimi, kanë shënuar rritje industria përpunuese, ndërtimi, transporti, furnizimi me ujë dhe energji elektrike.
Në vitin 2022 rreth 60% e punonjësve në Shqipëri ishin të pakënaqur me vendin e punës dhe për këtë shkak rreth 53% e tyre planifikojnë të largohen në emigrim. Rezultatet dolën nga sondazh që zhvilloi kompania Ep & Partners Consultancy (EPPC) me 1434 të punësuar në Shqipëri dhe në Kosovë.
Rezultatet treguan se në Shqipëri, niveli i pakënaqësisë së punonjësve ishte shumë më i lartë se në Kosovë dhe kjo gjendje kishte mbetur e pandryshuar që nga viti 2019. Ndërsa në Kosovë shihet një rënie e konsiderueshme e nivelit të pakënaqësisë në punë më 2022 me 43% nga rreth 60% që ishte ky tregues në vitin 2019. Gjithashtu pësoi rënie edhe numri i personave që ishin shumë të kënaqur me vendin punës në 5% më 2022 nga 7% që ishin më 2019.
Në Shqipëri, nga totali i të anketuarve 8% e tyre ishin të pakënaqur me punën që bënin dhe në anën tjetër vetëm 7% e pjesëmarrëse në sondazh ishin shumë të kënaqur. Ekspertët që prezantuan sondazhin vunë në dukje se pakënaqësia në punë mbizotëron te punonjësit shqiptarë dhe kjo ka qenë edhe më theksuar në shkuarën.
Erald Pashaj, administrator dhe themelues i EPPC, tha: “Kënaqësia dhe angazhimi në punë lidhen drejtpërdrejt me rezultatet dhe cilësinë e punës së punonjësit. Me 60% forcë pune të pakënaqur dhe të paangazhuar, largimet janë të shumta, kosto e ripunësimeve dhe zhvillimit është shumë e lartë dhe cilësia e shërbimit të ofruar është mediokër”.
Në Kosovë, kënaqësia në vendin e punës është përmirësuar ndjeshëm, pasi shumica e punonjësve ndihen mirë me punën që bëjnë. P.sh., nga viti 2019 deri në vitin 2022 pati rënie të konsiderueshme të punonjësve shumë të pakënaqur me punën nga 12% në 4%. Në të njëjtën periudhë, përqindja e punonjësve që ishin shumë të kënaqur në punë arriti në 14% në vitin 2022 nga 9 % në vitin 2019
Në Shqipëri, pakënaqësia është mjaft e përhapur në mesin e administratës publike. Niveli i pakënaqësisë përfshin rreth 70% e punonjësve të administratës dhe 58% të punonjësve në sektorin privat.
88% e punonjësve në Shqipëri janë me kontratë pune përkundrejt 84% që ishin në 2019. Ende 12% e forcës së punës janë të pambrojtur sipas Kodit të Punës në fuqi. Industritë me mungesë kontrate pune janë Shitje me shumicë dhe shpërndarje, Hoteleri, bare dhe restorante dhe Ndërtimi. /MONITOR