E martë, 26 Nëntor, 2024

Vendimi i Kushtetueses për votimin e emigrantëve/ PD: Lajm i madh për bashkëatdhetarët në Diasporë

Sekretari për Diasporën në PD, Indrit Hoxha ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, dhe theksonte se mungesa e votimit për emigrantët në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit përbën një cënim të së drejtës për shkak të boshllëkut ligjor.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha, shkruan se tashmë Kushtetuesja ka parashtruar një detyrë për shtetin shqiptar, që ta plotësojë kuadrin ligjor për këtë çështje brenda një viti.

“Lajm i madh për bashkëatdhetarët tanë në Diasporë që me në fund do kenë mundësinë të votojnë nga vendet e ndryshme të botës ku jane rezident”, thekson Hoxha.

REAGIMI I PLOTE

Gjykata Kushtetuese detyron shtetin Shqiptar të plotësoje kuvendin për plotësimin e kuadrit ligjor brenda 1 viti.

Lajm i madh për bashkëatdhetarët tanë në Diasporë që më në fund do kenë mundësinë të votojnë nga vendet e ndryshme të botës ku janë rezident. #diaspora

Në vendimin e saj, Kushtetuesja i ka vendosur ultimatum Kuvendit për plotësimin e këtij boshllëku ligjor brenda një viti dhe mundësuar që shqiptarët të votojnë në vendet ku jetojnë, pa qenë e nevojshme të vijnë në Shqipëri.

“Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja ‘a’ dhe 134, pika 1, shkronja ‘h’, të Kushtetutës, si dhe neneve 49, pika 3, shkronja “d”, 51/a, pika 1, shkronja ‘b’ dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar, me shumicë votash, vendosi: Pranimin e pjesshëm të kërkesës; Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor; Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi; Pushimin e gjykimit lidhur me Urdhrin nr. 219, datë 19.04.2021 të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në vendim që hyn në fuqi e botimit në Fletoren Zyrtare. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit