Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të diel ka zhvilluar një konferencë për mediat, ku fokusi ishte tek situata e tensionuar në veri të vendit.
Kjo ishte dalja e parë për mediat e Albin Kurtit pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Në konferencën për mediat kreu i qeverisë së deklaroi se Serbia po kërcënon sërish me luftë.
“Ajo që ne e dinim prej kohësh u shpërfaqë në mënyrën më të egër të mundshme. Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe me rikthimin e forcave të tyre ushtarake të cilat kanë kryer gjenocid në Kosovë”, tha ai.
Po ashtu nënvizoi se paqja në veri të vendit mbetet e brishtë, pasi Serbia kërkon të rinisë një luftë të cilën e humbi një herë.
“Pako e Ahtisarit ishte kompromis i dhimbshëm, përmes së cilës komuniteti serb në Kosovë fitoi të drejta të garantuara e të zgjeruara. Integrimi i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialog në Bruksel”, shtoi ai.
Në fund tha se “paligjshmëria nuk do të tolerohet në asnjë pjesë të vendit tonë”./btvnews.al