Në veriun e Kosovës rrugët që çojnë për në vendkalimet kufitare me Serbinë, vazhdojnë të jenë të bllokuara nga grupe serbësh. Situata duket e qetë të martën në Bërnjak, në ditën e katërt të kësaj bllokade. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, tha mbrëmë se blloku është i gatshëm të përforcojë praninë e Misionit për sundimin e ligjit dhe paralajmëroi se i dërguari i posaçëm evropian, Miroslav Lajcak, do ta qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd në përpjekje për të shtensionuar situatën, e cila siç theksoi ai, ka pasoja për qytetarët e Kosovës, Serbisë dhe gjithë rajonit.
“Kjo situatë duhet të përfundojë. Bllokadat duhet të largohen. Qetësia duhet të rivendoset”, tha zoti Borrell i cili theksoi se ka siguruar mbështetjen e vendeve të bllokut për të përforcuar Misionin e EULEX-it nëse është e nevojshme.
Rrugët u bllokuan të shtunën pas njoftimit për arrestimin e një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës, ndërsa po bëheshin përgatitje për zgjedhjet komunale në veri, të cilat kundërshtoheshin nga përfaqësuesit serbë të mbështetur nga Beogradi.
“Populli duarthatë nuk ka mënyrë tjetër demokratike për të treguar se nuk janë dakord dhe nuk e pranojnë sjelljen e dhunshme të policëve shqiptarë, sjelljen e dhunshme të pushtetarëve të Prishtinës. Mënyra e vetme është një marrëveshje”, tha një qytetar serb, ndër të paktët që pranojnë të flasin para kamerave për zhvillimet në zonë.
Policia e Kosovës tha të martën se situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e pandryshueshme, ndërsa theksoi përkushtimin për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim. Ajo mohoi ndërkaq shkrimet në mediet serbe në të cilat pretendohet për sjellje jomiqësore ndaj komunitetit serb.
Beogradi ndërkaq akuzon Prishtinën për situatën në veriun e Kosovës, ndërsa autoritetet në Prishtinë akuzojnë Serbinë për siç thuhet, mbështetje të bandave kriminale që po bëjnë përpjekje të destabilizojnë Kosovën.
Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë në një postim në rrjetet sociale të martën se e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme është që Beogradi dhe Prishtina t’i zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.
“Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe kjo çështje të zgjidhet në mënyrë paqësore, sepse dhuna nuk ka vend në rajon”, thuhet në postim në të cilin nënvizohet se KFOR-i mbetet jashtëzakonisht syçelë dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij për një mjedis të sigurt në Kosovë. /VOA