E mërkurë, 15 Janar, 2025

Sunak premton kthimin e shpejtë të shqiptarëve që kalojnë La Manshin me gomone. Njësi me 400 specialistë për të shqyrtuar kërkesat e azilit

Britani e Madhe – Kryeministri Rishi Sunak, ka premtuar krijimin e njësisë me 400 specialistë, të cilët do të shqyrtojnë kërkesat e azilit nga shqiptarët dhe do t’ju japin një përgjigje të shpejtë atyre, në mënyrë që emigrantët e paligjshëm dhe që e kalojnë kufirin për arsye ekonomike, të deportohen menjëherë.

Kryeministri ka njoftuar gjithashtu një marrëveshje me Shqipërinë, për kthimin e shpejtë të azilkërkuesëve.

Plani i qeverisë për të ndalur valën e emigrimit të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe, përfshin gjithashtu vendosjen e oficerëve të kufirit të MB në Shqipëri.

Kryeministri Sunak ka premtuar se do t’i japë zgjidhje ngërçit dhe bllokimit të sistemit, duke shqyrtuar me shpejtësi kërkesat për azil. Për momentin janë rreth 143 mijë aplikime në total, për azil, të cilat nuk kanë ende përgjigje.

Shqipëria është vendosur në vëmendjen e politikës dhe mediave britanike, për shkak të numrit të paprecedet të shqiptarëve që kanë ardhur në Britaninë e Madhe me gomone, duke kaluar kanalin e La Mansh në mënyrë të paligjshme.

Shumë prej shqiptarëve që mbërrijnë në Britaninë e Madhe kërkojnë azil dhe pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne.

Rreth 53% e kërkesave për azil nga shqiptarët kanë qenë të suksesshme. Kjo shifër përfshin më së shumti gra dhe fëmijë.

Sunak deklaroi në parlament se qeveria britanike ka një plan të qartë për t’i ndaluar gomonet dhe për të ndryshaur një sistem të vjetëruar.

“Ne duhet ti ndalojmë gomonet dhe qeveria do të bëjë atë që duhet bërë”, deklaroi ai.

Pak kohë më parë, Ministrja e Brendshme, Suella Braverman, deklaroi se ka një “pushtim” të vendit dhe gjithashtu foli për kriminelët shqiptarë që vijnë në MB, duke shfrytëzuar sistemin. Deklaratat e saj u konsideruan si fyerje nga shumë persona në komunitetin e shqiptarëve të Britanisë, të cilët protestuan në Westminster në datën 12 nëntor, duke kërkuar tërheqjen e deklaratave dhe dorëheqjen e ministres.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit