Thuajse për një pjesë të mirë të këtij viti niveli i hidrocentralit të Fierzës, më i madhi në kaskadën e Drinit, ishte nën mesataren shumëvjeçare historike.
Edhe rezerva energjetike mesatare ishte poshtë kësaj mesatareje në nivelin 661 GWh apo 19 për qind më pak se mesatarja shumëvjeçare.
Mungesa e reshjeve bënë që përgjatë 2022-it KESH të blinte qindra milionë euro energji në tregun e lirë për të përballuar furnizimin me energji në vend. Por kanë mjaftuar reshjet e nëntorit dhe dhjetorit për ta kthyer në të kundërt pllakën dhe për të përmirësuar dukshëm situatën.
Në dokumentin e aplikimit për pezullimin e fashës 800 KWh edhe për muajin dhjetor Korporata ka pranuar se në fund të këtij muaji gjendja e rezervës energjetike në kaskadë paraqitet 735 GWh apo 6.8 për qind më e lartë sesa mesatarja shumëvjeçare.
Për ta kuptuar më mirë ndikimin e rezervës mjaft të sjellim në vëmendje që një rezervë mbi 1 TWh energji është garanci për të përballuar në mënyrë më të lehtë muajt e thatë në vend.
“Kjo rezervë po përdoret për përballimin e konsumit për periudhën vijuese në këtë mënyrë duke synuar përdorimin e rezervës sërish gjatë periudhave me risk të lartë ekspozimi në tregje (verë-dimër, T3-T1)” thuhet në dokumentin e KESH.
Korporata parashikon që për gjithë muajin dhjetor Furnizuesi i Tregut të Lirë pjesë e OSHEE Group të marrë 510 GWh energji ku nga kaskada të plotësohen 485 GWh. I njëjti dokument nënvizon se importi parashikohet të jetë 50 GWh me një çmim mestar prej 380 euro/MWh.
Gjithashtu është nënvizuar se me siguri të ulët parashikohen edhe eksporte në varësi të situatës hidrike por sasia mbetet e përllogaritur. Deri më tani KESH ka eksportuar apo shitur në treg të lirë rreth 14.2 milionë euro energji.
Përpos përmirësimit të situatës hidrike që po përkthehet edhe në eksporte më herët falë “kursimit” KESH raportoi se për shtator -nëntor kishte kursyer 125 milionë euro në raport me planifikimin fillestar.
Për muajin dhjetor dokumentet kanë parashikuar tre skenarë ku në skenarin bazë shpenzimet për blerje në tregun e lirë janë 19 milionë euro, në skenarin optimist zero lekë dhe në atë pesimist 38 milionë euro. Deri më tani kur ka kaluar thuajse gjysma e muajit dhjetor KESH nuk ka hapur procedura për blerje por vetëm për shitje dhe depozitim energjie./Monitor