E hënë, 25 Nëntor, 2024

“Politikë e qëllimshme kundër arsimit”/ Meta: Regjimet autokratike kanë frikë nga studentët! Numri i tyre në universitete, rënie e ndjeshme

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar qeverinë se po ndjek politika të qëllimshme për të mos financuar arsimin. Gjatë një takimi me studentë, Meta tha se vetëm regjimet autokratike kanë frikë prej tyre dhe pedagogëve apo intelektualëve.

Ndër të tjera, Meta tha se numri i studentëve në universitete ka rënë ndjeshëm.

Meta: Sipas statistikave të BE-së, mësuesit në Shqipëri janë më të keqpaguarit. Një mësues në Shqipëri paguhet mesatarisht 4200 euro në vit, në Mal të Zi, paguhen mesatarisht 9900 euro në vit. Ne kërkuam një mbështetje prej 100 eurosh për studentët. Pse mungon ky dialog midis qeverisë, ministrisë, midis universiteteve dhe studentëve? Pse përpiqet të futen në grindje studentët me pedagogët, ndërkohë që qëllimi është i përbashkët.

Është vendosur në pikëpyetje ekzistenca e universiteteve. 40% ka rënë numri i studentëve në universitetin bujqësor. Ndërkohë që bujqësia është një prioritet i jashtëzakonshëm kombëtar. Si do zhvillohen në të ardhmen këto degë? Ka rënë në gati 30% numri i studentëve në shkencat natyrore. E dini se çfarë ndodh në universitetin e Tiranës, numri i studentëve është në rënie me gati 15%. Në qytete të tjera numri i nxënësve ka rënë gati me 40%. Nuk janë të rastësishme këto zhvillime negative.

Vendet e rajonit i kushtojnë vëmendje shumë të madhe arsimit, motivimit të të rinjve për të qëndruar në vendet tona. Jemi në kushtet e një konkurrence. Çdo regjim autokratik e ka tmerrin nga studentët, nga intelektualët, nga mendimi i lirë dhe krijues. Prandaj është kjo politikë e qëllimshme për të mos financuar arsimin dhe kulturën. Për të krijuar presione financiare të rreme ndaj studentëve, stafeve ekonomike. Edhe njëherë tjetër, dua të shpreh mbështetjen më të fortë timen për studentët.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit