Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me fituesit e Primareve që do të garojnë për zgjedhjet lokale në 14 Maj të vitit 2023.
Në fjalën e tij, Berisha tha se kandidatet e kanë ridimensionuar PD-në dhe të gjithë vendit, pasi Primaret ishin një ngjarje e veçantë.
“Për këtë sallë, për këtë seli, për PD-në, kjo është një ngjarje shumë e veçantë. Kurrë ndonjëherë më parë, këtu nuk janë ulur kandidatë për qytetarë të parë të bashkive të vendit, një trupë që ka marrë votat nga anëtarësia dhe simpatizantët e PD-së, më shumë se të gjithë institucionet e tjera të kësaj partie në të gjithë ekzistencën e saj.
Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne, është një zhvillim jashtëzakonisht i vyer, i çmuar, në rrugën tonë të konsolidimit të vlerave dhe demokracisë.
Ju keni dalë nga një garë, keni konkurruar me bashkëluftëtarët tuaj, keni dëshmuar në tërësi civilitet, integritet, transparencë dhe me garën që keni bërë, keni transformuar, ridimensionuar pluralitetin në gjirin e PD-së, por edhe në Shqipëri në tërësi”, u shpreh ndër të tjera Berisha./btvnews.al