Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur këtë të enjte fjalim e përvitshëm para deputetëve në Kuvend. Në fjalën e saj, Osmani ka theksuar se në çdo ditë të këtij viti ka pasur këmbëngulje që shteti dhe ligji përfundimisht të mos u shërbejë vetëm disave, por të gjithëve.
“Sundimi i ligjit është esencial për funksionimin e çdo shtylle të shtetit. Në fakt është parakusht për një gjë të tillë. Por, siç e dini, të nderuar deputetë, veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shpreh nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale.
Por, ne jemi të vendosur që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit të vendit tonë. Bandat kriminale nuk mund ta mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovë”, tha ajo.
Më tej ka folur për situatën në veri të vendit duke thënë se bandave kriminale nuk iu pëlqen as vendosmëria e institucioneve që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit, as zbatimi i ligjit në tërë territorin e vendit.
“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim me përmasa agresioni së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiç e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund më 12 qershor 1999.
Më 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste te Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i Millosheviçit”, ka theksuar më tej Osmani./btvneës.al