Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Ai është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.
“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.
Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor. Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000. Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara (emri zyrtar i Gjykatës Speciale), vuajtja e dënimit me burgim bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara e cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar.
“Transferimi i personit të dënuar në atë shtet bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme pasi të ketë kaluar afati për dorëzimin e një apeli, apo pasi vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë. Deri në finalizimin e përgatitjeve prej Administratorit për transferimin në shtetin ku do të kryhet dënimi, i dënuari mbahet në paraburgimin e Dhomave të Specializuara”, thuhet në Rregulloren e procedurës dhe provave të këtij institucioni./REL