Në sallën operative të Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është kryer me sukses një operacion shumë i rrallë. Ky operacion është bërë për herë të parë në Kosovë.
Sipas njoftimit nga spitali pacienti, një 27-vjeçar, e kishte prerë pothuajse komplet parakrahun e majtë në vendin e punës.
“Mjekët kirurgë, me punë ekipore, (ekipi e Kirurgjisë Vaskulare që e udhëhoqi operimin, ekipi i Klinikës së Ortopedisë, Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive dhe Neurokirurgjisë), bashkë me anesteziologë dhe pjesën tjetër të ekipit operativ, kanë kryer operimin te një pacient 27 vjeç duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën më distale të arteries radiale dhe ulnare, (arterie që ushqejnë dorën me gjak)”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se operacioni ishte kryer me sukses./btvnews.al