Prej afro një muaji banorët e Bulqizës po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Kjo situatë ka nisur me fillimin e reshjeve të shirave.
Banorët ankohen se këto ndërprerje po ju shkaktojnë kosto të mëdha ekonomike për shkak se po ju dëmtohen pajisjet. Sipas tyre, stakimet bëhen orar pa orar, ditën dhe natën, pa asnjë lloj njoftimi. Dëme nga këto stakime po pësojnë edhe bizneset.
Ndërprerjen e shpeshtë të energjisë elektrike e konfirmon edhe Nënprefekti i Bulqizës Avni Muliu. Sipas tij kjo situatë është krijuar për shkak të mbingarkesës që ka rrjeti përcjellës si pasojë e 19 HEC-ve private që fusin prodhimin e tyre në rrjetin shtetëror.
Muliu shtoi se në kontaktet që ka patur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë i është thënë se problemi pritet të zgjidhet brenda katër muajve. Probleme të tilla me energjinë elektrike ka edhe në zona të tjera të Qarkut Dibër./btvnews.al