E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Zgjedhja e Altin Dumanit në krye të SPAK, reagon SHBA e BE

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Bashkimit Evropian kanë reaguar pas zgjedhjes së Altin Dumanit në krye të SPAK.

Në reagimin e saj, ambasada e SHBA thotë se do të mbështesin Dumanin në krye të SPAK për të çuar përpara Reformën në Drejtësi, dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ambasada e SHBA përgëzon Altin Dumanin për zgjedhjen si Kryeprokurori i ardhshëm i SPAK. Të tre kandidatët – zoti Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili – janë shumë të kualifikuar dhe meritojnë respekt të plotë në përpjekjet e tyre. Presim me kënaqësi të punojmë ngushtë me të gjithë ata. Për të çuar përpara Memorandumin e Presidentit Biden në Përcaktimin e Luftës kundër Korrupsionit si një Interes Thelbësor i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (qershor 2021), ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi. Presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund”, shkruhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Po ashtu dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian, Christiane Hohmann, ka uruar Altin Dumanin për zgjedhjen në krye të SPAK.

Hohmann vlerëson edhe Arben Krajën për drejtimin e SPAK gjatë këtyre 3 viteve, teksa thekson se efektiviteti i punës së SPAK është thelbësor për ecurinë e Reformës në Drejtësi.

Mirëpres zgjedhjen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të zotit Altin Dumani si Kryetar i ri i SPAK. Urime! Shpreh vlerësimin tim të lartë për z. Arben Kraja për punën e bërë gjatë tre viteve të fundit. Një SPAK efektiv është thelbësor për suksesin e reformës në drejtësi”, thotë ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit