Partia Demokratike ka reaguar pas zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, që për tre vitet e ardhshme do të jetë prokurori Altin Dumani. Në një reagim për mediat, Partia Demokratike deklaron se procesi u njollos që në nisje. Sipas PD procesi u njollos nga ndërhyrja e ambasadores së SHBA dhe Kryeministrit.
Më tej në deklarate shtohet se ‘SPAK është thjeshtë një seksion i Partisë Socialiste’, pasi sipas kësaj partie kjo prokurori nuk ka hetuar krimet zgjedhore.
DEKLARATA E PLOTË E PD
Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK u njollos që në nisje të saj dhe si i tillë është i pabesueshëm. Përplasja për drejtuesin e SPAK mes Yuri Kim dhe Edi Ramës nuk është shenjë se drejtësia është e pavarur, por se ajo është kapur. SPAK ka patur mjaftueshëm kohë për t’i dhënë prova publikut të kundërtën duke konsumuar mandatin e një drejtuesi. Prej krijimit të saj SPAK ka patur në dorë dhjetëra skandale, të cilat ose janë hetuar nga bishti ose nuk janë prekur fare.
Një ‘pallat drejtësie’ në korridoret e të cilit shkon për të bërë ekskursione dhe për të dhënë direktiva kryeministri dhe një ambasadore që bën rolin e guvernatores, nuk është as i pavarur, as i lirë dhe as i ndarë nga pushteti ekzekutiv, siç e kërkon një demokraci normale dhe funksionale. Me këto fakte të pakundërshtueshme, SPAK është thjeshtë një seksion i Partisë Socialiste.
Kujtojmë se SPAK nisi punën para 2 vitesh duke shpallur moskompetencën për dosjet famkeqe të blerjes së votave nga qeveritarët e lidhur me krimin ato 184 dhe 339 të cilat më pas ia përcolli Prokurorisë së Dibrës.
SPAK nuk hetoi krimin zgjedhor, i cili ne 9 vitet e fundit ka përcaktuar strukturën e shtetit. Me këtë akt SPAK dëshmoi se është vetëm një bisht i diskretituar i qeverisë. SPAK po përdoret në mënyrë antiligjore, anikushtetuese për gjah ndaj opozitës dhe shënon kapjen dhe dështimin e plotë të reformës sorosiane të drejtësisë në Shqipëri./btvnews.al