Traseja e rrugës së Arbrit në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit nuk po gjen qetësi. Deformimet e trasesë po shtohen çdo ditë e më shumë, e nga ana tjetër firma që e ka ndërtuar mundohet t’i mbulojë këto probleme duke ndërhyrë me mjete rrethanore, siç është në këtë rast kur me bombol gazi shkrin materialin ngjitës.
Ndonëse është një aks që do t’i kushtojë taksapaguesve shqiptar qindra miliona euro, cilësia e punimeve lë për të dëshiruar. Drejtuesit e mjeteve thonë se kjo gjendje e rrugës, ju rrezikon jetën pasi deformimet në segmentin nga tuneli Murrizit deri tek tunelet e fshatit Fshat janë të shumta.
Por si të mos mjaftonin këto. Nxënësit që frekuentojnë Shkollën e Mesme të Bashkuar Xibër, rrezikojnë jetën dy herë në dit. Kjo për shkak se nuk ka hapësirë të dedikuar e të sigurt për kalimin e tyre në këtë rrugë teksa shkojnë në shkollë e kthehen në shtëpi.
Probleme të tjera në këtë segment të rrugës së Arbrit ka patur edhe me rënie të gurëve apo rrëshqitje të dherave./btvnews.al