Aksident tragjik në Itali, humb jetën 18-vjeçari shqiptar
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Itali, ku për pasojë ka mbetur i vdekur një shqiptar i Kosovës.
Aksidenti raportohet të ketë ndodhur në via alle Fabbriche në via Bona në Caselle Torinese.
Sipas burimeve nga mediat italiane, një makinë tip “Ford” që kishte me katër djem në bord, të gjithë banorë të qytetit, është përplasur me murin e ish-mullirit të leshit.
Shoferi Blendi Halili, 18-vjeçari italian me origjinë nga Kosova, i cili drejtonte mjetin pa lejen e drejtimit, ka mbetur i bllokuar dhe i djegur për vdekje brenda automjetit i cili ka marrë flakë. Tre të rinjtë e tjerë, dy 18-vjeçarë dhe një 17-vjeçar, arritën të dilnin të sigurtë dhe u transportuan në spitalin Ciriè në kushte jo të rënda.
Zjarrfikësit e Caselle Torinese dhe Torin Centrale dhe karabinierët e kompanisë Venaria Reale kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e saj. Në aksident nuk u përfshinë automjete të tjera. Viktima e re ishte regjistruar në autoshkollë por nuk e posedonte ende lejen e drejtimit. Automjeti duket se është në pronësi të babait, i cili me sa duket nuk ka qenë plotësisht në dijeni se djali i tij kishte hipur në timon dhe po transportonte edhe persona të tjerë.