Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një reagim në mediat sociale ka akuzuar kryetarin e Listës Serbe për vendosjen e barrikadave në veri të vendit.
Sveçla shkruan se barrikadat në veri po i mban kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, bashkë me bandat kriminale. Sipas tij, e vetmja gjuhë që ata përdorin dhe i trumbetojnë janë vrasjet.
“Goran Rakiq në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmban barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës tash e 11 ditë. E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai tha se janë duke bërë përpjekje maksimale me partnerët ndërkombëtarë për heqjen e barrikadave pa asnjë përkeqësim të mundshëm, ndërkaq, sipas tij, Rakiq e bashkëpunëtorët e tij po i armatosin bandat brenda barrikadave.
“Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena. Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cenuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njëjtën anë”, shton ai.
Sveçla theksoi se assesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve./btvnews.al