Policia turke i ka dhuruar Policisë shqiptare, një donacion që përfshin servera dhe pajisje për integrimin e disa prej programeve të Policisë së Shtetit dhe ruajtjen e të dhënave të tyre. Gjatë ditës së sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke Mehmet Aktaş, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, ka zhvilluar një vizitë pune në Policinë e Shtetit.
Fillimisht, Aktaş është pritur në një takim “kokë më kokë” nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe më pas të dyja delegacionet zhvilluan një takim pune për forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e urave të reja në fushat me interes të përbashkët.
Të dy drejtorët e përgjithshëm vlerësuan marrëdhëniet mes dy policive, shkëmbimin e informacioneve për grupe dhe persona me aktivitet kriminal në fushën e krimit të organizuar, si dhe zhvillimin e operacioneve të përbashkëta për kapjen e personave të shumëkërkuar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e njohu drejtorin e Policisë turke, me prioritetet, filozofinë dhe vendosmërinë që ai ka për reformat strukturore, ligjore dhe arsimore të Policisë së Shtetit, me qëllim vendosjen e një standardi të ri në raport me qytetarët dhe zgjidhjen e problemeve të adresuara prej tyre sipas kompetencave që ligji i jep punonjësve të Policisë; për një qasje të re në luftën ndaj krimit dhe për vendosmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët, në përmbushjen e misionit të përbashkët.
Drejtori i Policisë turke i ka dorëzuar Drejtorit të Policisë së Shtetit, donacionin që përfshin servera dhe pajisje për integrimin dhe ruajtjen e të dhënave të disa prej sistemeve të Policisë së Shtetit, që u dëmtuan për shkak të sulmit kibernetik.
Donacioni i dhuruar nga Policia turke vjen pas shumë donacioneve të tjera të akorduara për Policinë e Shtetit, donacione që përfshijnë automjete, pajisje logjistike dhe uniforma, kryesisht për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe në shumë trajnime e module arsimore të ofruara nga Policia turke për Policinë shqiptare./btvnews.al