E premte, 29 Nëntor, 2024

Lufta në Ukrainë, Putin: Situata në front ‘është jashtëzakonisht e vështirë’

Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se situata në katër pjesë të Ukrainës që ai i aneksoi para pak muajsh ishte “jashtëzakonisht e vështirë”. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte sot në qytetin Bakhmut ku po zhvillohen luftime të ashpra me forcat ruse në rajonin e Donbasit. Zona që vizitoi zoti Zelenski është aq pranë frontit, sa kur ai po iu drejtohej forcave ukrainase, shpërthimet nga fronti dëgjoheshin qartë.

Duke folur me anëtarët e shërbimeve ruse të sigurisë, Presidenti rus, Vladimir Putin theksoi se situata në katër zonat që i shpalli si territor rus në shtator, Donjesk dhe Luhansk në Ukrainën lindore, si dhe Khersonin dhe Zaporizhian në jug, është jashtëzakonisht e vështirë.

“Veçanërisht do të doja të përmendja njësitë e agjencive të sigurisë që filluan të veprojnë në rajonet e reja ruse. Po, është e vështirë për ju tani: situata në ato zona është jashtëzakonisht e vështirë. Por, njerëzit që jetojnë atje, qytetarët e Rusisë, mbështeten tek ju, tek mbrojtja që ofroni ju. Dhe, është detyra juaj të bëni gjithçka të nevojshme për të garantuar sa më shumë sigurinë, të drejtat dhe liritë e tyre”, tha presidenti rus, Putin.

Ai u zotua se Moska do të vazhdojë të forcojë njësitë e reja me pajisje dhe armë moderne, si dhe me personel me përvojë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi qytetin Bakhmut ku po zhvillohen luftime të ashpra me forcat ruse në rajonin e Donbasit i cili vazhdon të mbahet nën kontrollin e forcave ukrainase duke ia pamundësuar Rusisë ta pushtojë tërë rajonin.

Zona që vizitoi zoti Zelenski është aq afër frontit sa në kohpën që ai po u drejtohej forcave ukrainase, shpërthimet nga fronti dëgjoheshin qartë.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Donbasin. Dua t’ju them se këtu ju po mbroni të gjithë Ukrainën. Pas Donbasit, ata mund të bëjnë të njëjtën gjë në qytete të tjera, pasi duan të zhdukin gjithçka ukrainase. Kjo është arsyeja pse ju mbani mbi supe mbrojtjen e të gjithë Ukrainës, jo vetëm mbrojtjen e Donbasit”, tha zoti Zelenskiy.

Nuk është e qartë se si zoti Zelensky arriti atje, por udhëtimi i tij i paparalajmëruar në zonën e luftimit duket se është bërë për të forcuar moralin e ukrainasve dhe për të dekurajuar rusët që përpiqen të rrethojnë qytetin./Zëri i Amerikës

Artikuj te ngjashem

Me te fundit