Kryeministri Edi Rama, ka qenë i pranishëm sot në ceremoninë “Mësuesi i Vitit 2022”. Në fjalën e tij, Rama u ka bërë ftesë nxënësve që të ndjekin mësuesin në universitet, pasi nëse zgjedhin këto degë do të marrin një bursë nga shteti sa një rrogë minimale.
Sipas kreut të qeverisë, kjo gjë bëhet për të stimuluar studentët e rinj që të zgjedhin degët e mësuesisë.
“Ajo që ne po bëjmë së fundmi është që të rrisim edhe më shumë stimulin për të hyrë në rrugën e mësuesisë. Ju kujtohet shumë mirë që deri para disa vitesh në rrugën e mësuesisë hynin ata që ishin në pamundësi për të marrë çdo lloj dege tjetër.
Pra më të dobëtit përfundonin në rrugën e mësuesisë që hajde më të shkojmë, ose hajde ta çojmë fëmijën të marrë një shkollë, një diplomë. Këta pastaj prezumohet që ktheheshin në mësues. Ne që në fillim rritëm shkallën e kërkesës për ata që hynë në shkollën e mësuesisë ndërsa aktualisht që flasim, shkollën e mësuesisë e kemi kthyer një ndër programet që janë prioritet kombëtar.
Studentët që do të ndjekin mësuesinë do të përfitojnë një bursë mujore që do të jetë në vlerën e pagës minimale. Pra që në momentin e hyrjes në shkollës, deri në përfundim të shkollës së mësuesisë, përveçse kriteri i një note mesatare të rëndësishme do të jetë në fuqi, do të marrin edhe pagën e përmuajshme deri në përfundim të shkollës, sepse do të marrin përsipër pas shkollës diçka që është gjëja më e rëndësishme dhe është gjëja më e shtrenjtë që janë fëmijët”, tha ndër të tjera Rama./btvnews.al