Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, kanë debatuar me njëri-tjetrin në seancën e sotme plenare ku është diskutuar për zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese dhe Avokatin e Popullit.
Enkelejd Alibeaj është shprehur se qëllimi i mazhorancës është që dërgojë Ardian Dvoranin për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Po Kryeministri Rama tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se partia që ai drejton nuk ka një vendim për mbështetjen e ndonjë anëtari për në GJK.
Sa i përket Avokatit të Popullit, deputeti i PD tha se ata nuk kanë kërkuar që kandidati të jetë i opozitës, por Rama iu kundërpërgjigj duke thënë se një prej emrave që është në listë është avokati i Partisë Demokratike.
Pjesë nga fjala e Enkelejd Alibeajt: E para, për të zgjedhur një anëtar të Gjykatës Kushtetuese duhen 84 vota. Ti nuk i ke, me gjithë ato çfarë ke bërë në zgjedhje. Nuk i ke. Dhe reforma në drejtësi, ajo e votuara nga të gjithë thotë një gjë të thjeshtë. Kur nuk i ke votat, 84 vota dhe nuk i ke, me gjithë votat çfarë ke marrë më përpara, zgjidhet ai që KED ka vendosur të parin. Dakord? Bukuri.
Pyetja që kam unë dhe për këdo tjetër. Pse ngulmoni ju ta fusni në votim? E para dhe e dyta përse e ngatërroni me historinë e Avokatit të Popullit? Tani po merrem meqë e përcolle problemin, e kuptova që u qartësove. Nuk ke çfarë vendimi të marrësh. Ta sjellësh këtu ka vetëm një logjikë, duke ‘peshkuar’, po përdor një fjalë të varfër, duke ‘peshkuar’ ndonjë votë andej këndej. Tani për Avokatin e Popullit, asnjëherë nga ana jonë nuk është kërkuar një Avokat Popullit për opozitën. Kurrë.
E keni thënë juve, se do ia lemë opozitës. Kemi bërë vetëm një gjë të thjeshtë. Kandidaturat që kanë ardhur kanë ardhur në mënyrë transparente, kanë aplikuar, kanë mbushur ato firma, ato nënshkrime, është bërë seanca dëgjimore, publikisht kam thënë cila është mbështetja jonë. Ti e the që nuk mbështesni askënd. Është vendimmarrja juaj. Absolutisht po, për të përcaktuar dhe saktësuar këtë gjë.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës: E dëgjova shumë mirë atë që tha kryetari i grupit dhe nuk tha asgjë ndryshe nga çfarë po përsëris unë dy herë. Ju sinqerisht duhet të merrni masa për të garantuar që keni akoma të lidhur mendjen me gjuhën, veshin me hundën, hundën me syrin. Se nuk ka mundësi. Flisni përçart. Po ju them edhe njëherë tjetër, nuk kemi asnjë vendim të kësaj natyre.
Përkundrazi. Përderisa ka një procedurë që duhet të votohet… në këtë procedurë për votim, të gjithë deputetët janë të lirë të votojnë për këtë të duan nga të trija kandidaturat. Kjo është gjëja që është thënë dhe nuk ka pasur nevojë as të bëjmë mbledhje as të marrim vendime. Është votim i lirë. Me aq vota sa ka për të bërë këtë procedurë. Çfarë nuk ka more zotëri? Është habi e madhe. Ligji është i qartë. Në rast se nuk ka vota të mjaftueshme për të ndryshuar radhën respektohet radha që ka nxjerrë forumi. More është votë e lirë. Mund të dalë njëri, mund të dalë tjetri. Nëse ju do ikni do bëhet thjeshtë formalisht, do ndahen ato vota, kuvendi do bëjë procedurën e vet dhe do iki.
Nuk kemi thënë asgjë tjetër përveçse që për Avokatin e Popullit ka një traditë, propozimin do ta bëjë opozita. Nuk duam të imponojmë, por nuk mund të na kërkoni të votojmë avokatin e PD. Avokatin e PD ta bëjmë Avokat të Popullit. Ju ç’doni t’i bëni Avokatit të Popullit, doni ta fusni te SHQUP-i? Gjeni avokat tjetër, kandidaturë tjetër./btvnews.al