Vrasja e dy shqiptarëve në Athinë ka vënë në lëvizje të gjithë shtetin grek, pasi dyshohet se porosia është bërë nga burgu.
Mediat vendase kanë zbuluar sot se policia dhe prokuroria kanë zhvilluar një operacion sekret dhe të paparalajmëruar në burgun e Hanias.
Siç bën me dije gazeta Protothema, janë ushtruar kontrolle në 6 qeli, ku sipas informacioneve në këto dhoma qëndronin 13 shqiptarë të dënuar për krime të rënda.
Kontrolli është kryer nga sektori i krimeve kundër jetës të policisë në prani të prokurorëve. Mes 13 të kontrolluarve është edhe Klodian Lekocaj, i akuzuar shpesh për pjesëmarrje në vrasje me pagesë dhe trafik droge.
Policia ushtroi kontrollet pasi ka dyshime se një i dënuar shqiptar ka dhënë urdhër për vrasjen e Kreshnik Cercizajt.
Ende nuk ka një të akuzuar lidhur me atentatin mafioz ku mbetën dy shqiptarë të vrarë, por dyshohet se kjo ngjarje ka lidhje me ekzekutimin e Edmond Papës në Tiranë./btvnews.al