Udhëtimi i Volodymyr Zelenskyt drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës është komentuar shumë në mediat ndërkombëtare. Ky ishte udhëtimi i parë jashtë vendit i presidentit të Ukrainës që prej nisjes së luftës nga Rusia në Shkurt të vitit 2022.
Sipas “The Guardian”, Zelensky ka udhëtuar me tren drejt Polonisë të martën, ku udhëtimi i tij ka qenë tepër sekret. Të mërkurën në mëngjes, ai arriti në qytetin jugor polak, Przemysl, ku u pa në stacionin e trenit, sipas pamjeve të transmetuesit privat, TVN, bashkë me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Bridget Brink, e cila e shoqëronte atë.
Vizita e Zelenskyt ishte planifikuar disa ditë dhe ishte organizuar fshehurazi për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij. Në Poloni, Zelensky hipi në një aeroplan qeveritar amerikan dhe arriti në Maryland, afër Uashingtonit, rreth mesditës sipas kohës lokale.
Më pas ai u dërgua me autokolonë në Shtëpinë “Blair”, ku presidenti amerikan pret mysafirë. Aty ai u qetësua pak orë dhe më pas udhëtoi drejt Shtëpisë së Bardhë, ku u prit nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe bashkëshortja e tij, Jill Biden.
Në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky zhvilloi bisedime me Bidenin dhe ndihmësit e tij të lartë për siguri kombëtare, para se të merrte pjesë në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun amerikan në Dhomën Lindore, e cila ishte zbukuruar me dekorime të festave.
Vizita e Zelenskyt, e cila zgjati më pak se 12 orë, rreth dy javë pas bisedës telefonike mes dy presidentëve më 11 Dhjetor./btvnwes.al