Si shumë qytete të tjera amerikane, qyteti Denver në shtetin Kolorado po përballet me një fluks të papritur imigrantësh. Kryetari i bashkisë thotë se mbi 1500 kanë arritur me autobusë gjatë javëve të fundit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti, njofton se të sapoardhurit kanë mbingarkuar shërbimet sociale të qytetit gjatë sezonit të festave.
Një 21-vjeçar nga Venezuela ndjehet krejtësisht i tronditur ndërsa ecën në të ftohtin e Denverit.
“Denveri është shumë i ftohtë. Kam veshur tre xhaketa dhe 4 bluza”, thotë emigranti.
Në të vërtetë, emri i tij nuk është “Alex”. Ai kërkoi që t’ia mbrojmë identitetin, pasi mbërriti vetëm dy ditë më parë në përfundim të një udhëtimi të gjatë nga Amerika e Jugut.
“Kam përshkuar xhunglën për ditë të tëra, pa ushqim, pa rroba, pa u larë dhe pa gjumë. Fjeta nëpër rrugë. Është e vështirë, por objektivi tashmë është të punoj dhe ta përmirësoj jetën time këtu në Shtetet e Bashkuara”, thotë “Alex”.
Ai është një nga mbi 1500 emigrantët që mbërritën me autobuzë në Denver gjatë javëve të fundit, gati 1 mijë kilometra në veri të kufirit SHBA-Meksikë. Kryebashkiaku Michael Hancock vlerëson se qyteti ka shpenzuar dy milionë dollarë për t’u kujdesur për ta.
“I lutem Kongresit dhe qeverisë që të veprojnë dhe të veprojnë me shpejtësi. Na duhen masa të guximshme të përkohshme, por na duhet edhe një strategji afatgjatë dhe një plan dhe një politikë për emigracionin”, tha ai.
Kryebashkiaku Hancock shpalli gjendjen e emergjencës dhe çeli strehimore të përkohshme, tepër të nevojshme tashmë që temperaturat ranë në -25 gradë Celcius. Moti i vështirë dhe sezoni i festave kanë mobilizuar organizatat joqeveritare.
Gjatë vetëm një mbrëmjeje u mbushën gjashtë kamionë me ndihma.
“Nuk mendoj se është gjë e mirë që po vijnë kaq shumë njerëz, por gjithashtu kjo tregon se çfarë po ndodh në botë në këto momente”, thotë donatori Stan Holtan.
Denveri radhitet ndër qytetet e mbiquajtur “parajsë” për emigrantët, ku autoritetet lokale nuk ndihmojnë në zbatimin e ligjeve federale për emigracionin. Shumica e emigrantëve në Denver janë venezuelianë, që i largohen krizës ekonomike të vendit të tyre. Catherine Chan është avokate për emigracionin në Denver.
“E di që tani ka shumë vëmendje tek venezuelianët që i largohen Venezuelës. Por prej dekadash kemi patur probleme me Hondurasin, Gautemalën, El Salvadorin dhe Meksikën. Pra nuk shoh pakësim të prurjeve, pasi faktorët ekonomikë dhe të stabilitetit në këto vende nuk kanë ndryshuar në përmasa që të ulin valën e emigracionit”, thotë zonja Chan.
Ata që duan të ndalin lëvizjen e emigrantëve drejt Amerikës kanë ngritur alarmin për situatën në qytete si Denveri. Ira Mehlman punon në Federatën për Reformimin e Emigracionit në Amerikë (FAIR).
“Nuk kemi burime pa fund. Po të kishim burime të pashtershme, asgjë nga këto nuk do të ishte problem”, thotë ai.
Në vetëm një mbrëmje, 175 emigrantë të tjerë mbërritën në qytetin Denver. Numri i emigrantëve që hyjnë në qytet ka tejkaluar tashmë numrin e emigrantëve që dalin nga strehimoret e përkohshme. /VOA